TIRANË-SPAK ka mbyllur hetimin ndaj dy kandidatëve për deputetë të Partisë Socialdemokrate (PSD) të Tom Doshit, të dyshuar për përfshirje në blerje votash gjatë zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025.
Sipas vendimit gjyqësor, A2 shkruan se referimi i Policisë së Tiranës lidhej me një kandidat të PSD-së, i cili kishte hapur një zyrë elektorale në zonën e Paskuqanit. Policia kishte ngritur dyshime se kandidati, duke pasur ndikim në zonë dhe në Bashkinë Kamëz, mund të ofronte 200 deri në 300 euro për çdo votë, si dhe vende pune në këmbim të mbështetjes elektorale.
Në hetim ishte përfshirë edhe dyshimi se kandidati bashkëpunonte me një mbështetës të PSD-së, i cili konsiderohej me ndikim në zonat e Bathores dhe Manzës, si dhe me një tjetër kandidat të së njëjtës forcë politike.
Pasi regjistroi hetim për “korrupsion aktiv në zgjedhje”, SPAK vuri në përgjim telefonik e ambiental, si edhe ka mbajti në vëzhgim mbështetësin e dyshuar nga 24 prilli deri më 10 maj 2011.
Ndonëse ka rezultuar se i dyshuari ishte aktiv në takimet me qytetarë dhe takimet elektorale të PSD, hetimi nuk siguroi asnjë provë mbi dyshimet e referuar. Nga ana tjetër, të dhënat e policisë nuk kane qenë të mjaftueshme për të vënë në përgjim kandidatët për deputetë e as persona të tjerë.