Aktualitet

"U zhvesh dhe u afrua..." Vrau shokun e vet, Marko Beqirajn në Durrës, Tejlor Tivari merret i pandehur për "krim pasioni"

Tivari në dëshminë e tij ka deklaruar se ka marrë një thikë tjetër në kuzhinë dhe më pas e ka qëlluar plot 11 herë në pjesën e gjoksit, qafës dhe kokës, Marko Beqirajn.

F.I
"U zhvesh dhe u afrua..." Vrau shokun e vet, Marko Beqirajn në
Marko Beqiraj dhe Tejlor Tivari

DURRËS-Tejlor Tivari, autori i vrasjes me thikë i Valbon alias Marko Beqiraj në qytetin e Durrësit më 24 shtator 2025, është marrë i pandehur nga prokuroria e Durrësit për akuzën e “Vrasjes me dashje” dhe çështja kundër tij është dërguar për shqyrtim gjyqësor në gjykatë. Gazetari Elton Qyno ka mësuar se bashkë me Tivarin, i pandehur për akuzën e “Përkrahjes së autorit të krimit” është marrë dhe Xhenis Dakoli.

Hetimet e fundit ka zbardhur edhe shkakun e vrasjes, ku fillimisht u dyshua se ngjarja erdhi si pasojë e trafikut të drogës, por rezulton se shkak janë bërë ndjenjat sentimentale që viktima, Valbon Beqiraj alias Marko Beqiraji ka shfaqur autorit të krimit, Tejlor Tivarit. 

Për shkak të refuzimit për të kryer marrëdhënie seksuale, viktima e ka kërcënuar me një thikë, Tejlor Tivarin, dhe ky i fundit ka reaguar, duke çuar në një përplasje fizike me njëri-tjetrin, ku të dyja palët i kanë shkaktuar dëme të ndërsjella në trup njëri-tjetrit. Tivari, në dëshminë e tij deklaron se ka marrë një thikë tjetër në kuzhinë dhe më pas e ka qëlluar plot 11 herë në pjesën e gjoksit, qafës dhe kokës, Marko Beqirajn.

Konkretish Tivari, ka pohuar se në 24 shtator 2025, rreth orës 09:00, ka komunikuar në telefon për tu takuar për të blerë lëndë narkotike. Pas komunikimit, viktima e ka ftuar që të shkonte në banesën që ndodhet tek pallati nr.983 tek tregu i fruta-perimeve në Durrës, banesë e cila ndodhet në katin e katërt. Tivari, ka sqaruar njohjen me viktimën, Marko Beqiri, duke shpjeguar se njohja ka lindur për shkak se në dy raste ka blerë lëndë narkotike tek ky person.

Më tej Tivari, tregon se pasi është ngjitur lart në apartament, ka gjetur në banesë vetëm, Marko Beqiraj, i cili sipas tij në një moment është zhveshur lakuriq fare dhe është afruar duke e joshur që të kryenin marrëdhënie seksuale.

Tivari, ka deklaruar se është stepur nga ky veprim dhe pastaj e ka shtyrë duke u larguar prej tij. Më pas ai thotë se Marko Beqiraj, ka veshur mbathjet dhe nuk e ka lejuar Tejlori të largohet, duke e kërcënuar me një thikë që mbante në dorë, me teh në formë sharre. Më tej ai deklaron se janë përleshur dhe në një moment deklaruesi i ka marrë thikën dhe me të e ka goditur.

Pas kryerjes së krimit të rëndë, ai ka kërkuar ndihmën e një shokut të tij, Xhenis Dakoli, i cili e ka çuar me makinë në shtëpi. Dakoli, nuk ka njoftuar Policinë e Durrësit për çfarë kishte ndodhur, edhe pse ishte vënë në dijeni nga Tejlor Tivari. Gjatë rrugës Tejlori i ka thënë që kishte bërë një sherr të keq dhe i ka kërkuar që të shkonte tek banesa e tij.

“...në mbrëmje i kam treguar mamasë dhe vëllait tim ngjarjen, që kam kryer e më pas, nëna më ka thënë që të dorëzohehesha në polici...”- ka treguar Tejlor Tivari.

Viktima Marko Beqiri u vra mbrëmjen e 24 shtatorit 2025 në një apartament për të cilin duhet të kujdesej, në pronësi të kushërirës së tij, pasi kjo e fundit jetonte në emigrim dhe i kishte lënë çelësat 51 vjeçarit për t'a mirëmbajtur. Viktima jetonte në banesë me bashkëshorten dhe djalin e tij, ndërsa punonte si kamarier në qytetin e Durrësit.

Poll

MOS HUMB