KORÇË-Gjykata e Korçës ka dënuar me 12 vite burg Enedio Gurin, i cili rreth një vit më parë vrau me thikë bashkëmoshatarin e tij, 14-vjeçarin Erald Xhejo, në fshatin Pirg të Maliqit.
Vendimi për dënimin e të miturit është marrë më 9 shtator 2026, nga një trupë gjykuese në Gjykatën e Korçës, e cila, pasi vlerësoi provat e paraqitura në dosjen penale, vendosi të dënojë autorin e krimit 12 vite burgim, për akuzën e “Vrasjes me dashje”. Raportohet se gjatë fazës së hetimit të vrasjes dhe gjykimit të dosjes, 14-vjeçari Enedio Guri, nuk ka shfaqur shenja pendese dhe në seanca paraqitej i qeshur.
Lidhur me ngjarjen janë dënuar edhe persona të tjerë, ku Roland Guri, xhaxhai i Enedios, është dënuar me 1 vit e 6 muaj burg, ndërsa Flori Çela është dënuar me 2 vite e 6 muaj burg, pasi ndihmoi autorin të largohej me automjet pas ngjarjes. Ndërkohë, babai i autorit Enedio Gurit është shpallur i pafajshëm.
14-vjeçari, Erald Xhejo humbi jetën nga goditjet me thikë të një bashkëmoshatari i tij më 14 gusht. Ngjarja ndodhi në ambientet e jashtme të një lokali, ku sipas hetimeve, gjithçka nisi pas një konflikti banal me fjalët: "Çfarë ke që më shikon?". Policia arrestoi autorin e dyshuar Eneido Gurin, ndërsa në pranga u vendosën edhe babai e xhaxhai i autorit dhe u morën nën akuzë 5 persona të tjerë për këtë ngjarje./ZËRI


