Aktualitet

Arrestohet sërish në Durrës nipi i Lefter Kokës, e pëson edhe shoqëruesja e tij

Gjatë kontrollit të 30-vjeçarit në çantën marsup të tij iu gjet dhe iu sekuestrua një armë zjarri tip pistoletë me municion luftarak. 

F.I
Arrestohet sërish në Durrës nipi i Lefter Kokës, e
arma e sekuestruar

DURRËS-Haki Koka nipi i ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka është arrestuar në Durrës, pasi dyshohet se qarkullonte i armatosur dhe mbante armë zjarri pa leje. Koka u arrestua në flagrancë teksa hynte në një apartament të marrë me qira në lagjen nr. 11, Durrës. Gjatë kontrollit të 30-vjeçarit në çantën marsup të tij iu gjet dhe iu sekuestrua një armë zjarri tip pistoletë me municion luftarak. 

Ndërkohë një procedim penal në gjendje të lirë ka nisur edhe për një 28-vjeçare, banuese në Tiranë, e cila ndodhej me nipin e ish-ministrit të Mjedisit. Kjo nuk është hera e parë që Haki Koka arrestohet për veprën penale “Prodhimi, mbajtja apo shitja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”, ku në vitin 2025 në kuadër të operacionit “Kalibri” atij iu gjet një armë zjarri dhe municion luftarak.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet operacioni “Informacioni”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të armëmbajtjes pa leje.

Qarkullonte i armatosur me armë zjarri, kapet dhe vihet në pranga një 30-vjeçar.

Sekuestrohet armë zjarri pistoletë me municion luftarak.

Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në DVP Durrës, bazuar në informacionet e marra se një 30-vjeçar mbante armë zjarri dhe qarkullonte i armatosur, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Informacioni”.

Si rezultat, u bë arrestimi në flagrancë për veprën penale “Prodhimi, mbajtja apo shitja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”, i shtetasit H. K., 30 vjeç, banues në Durrës.

Ky shtetas u kap në flagrancë në një apartament të marrë me qira në lagjen nr. 11, Durrës, në kohën kur kishte hyrë në banesë dhe, gjatë kontrollit, në brendësi të çantës marsup të tij iu gjet dhe iu sekuestrua, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri tip pistoletë me municion luftarak.

Në apartament, së bashku me të, ndodhej dhe shtetasja K. Sh., 28 vjeçe, banuese në Tiranë, e cila u procedua penalisht në gjendje të lirë për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

Poll

MOS HUMB