BELSH-Një tjetër rast ku një elektriçist humb jetë gjatë punës është regjistruar në vendin tonë. Ngjarja ka ndodhur në zonën e Belshit, ku elektricisti i OSHEE-së, Klajd Zekthi, 32 vjeç ka humbur jetën teksa ndodhej në terren pas stuhisë që përfshiu zonën.
Raportohet se pas motit të keq dhe dëmtimeve të shkaktuara në rrjetin elektrik, ekipet e OSHEE-së kanë dalë në terren për të ndërhyrë dhe rikthyer furnizimin me energji elektrike. Gjatë ndërhyrjes teknike 32-vjeçari dyshohet se ka rënë në kontakt me energjinë elektrike dhe, si pasojë e goditjes, ka humbur jetën.
Rasti ngre pikëpyetje mbi mungesën e pajisjeve dhe mjeteve të nevojshme të sigurisë në punë, të cilat duhet të garantojnë mbrojtjen e elektricistëve gjatë ndërhyrjeve në rrjet. Kur ekipet punojnë nën presionin e rikthimit të energjisë pas stuhive, rreziku për punonjësit është veçanërisht i lartë.
Rasti vjen pas ngjarjes së rëndë të ndodhur pasditen e djeshme në Marglliç të Patosit, ku një 46-vjeçar humbi jetën gjatë punës. Paraprakisht dyshohet se Ermal Debrova ishte duke montuar një shtyllë elektrike, kur ka pësuar dëmtime të rënda dhe ka humbur jetën në vendngjarje.