ISLANDË- Angjelin Sterkaj, i cili në vitin 2023 u dënua nga Gjykata e Lartë e Islandës me 16 vjet burgim për vrasjen e Armando Beqirajt, jashtë shtëpisë së tij në Reykjavík në vitin 2021, është liruar nga qelia. Sterkaj ka përfituar lirimin me kusht dhe ndaj tij është vendosur ndalim rikthimi në Islandë dhe në zonën Schengen, raportojnë mediat e huaja.
Dëbimi i Sterkaj bazohet në një ndryshim të fundit të përkohshëm të ligjit, të miratuar nga ministri i Drejtësisë, i cili lejon që të burgosurve të huaj, për të cilët është vendosur dëbimi nga vendi, t’u jepet lirimi me kusht pasi të kenë vuajtur një të tretën e dënimit.
Drejtoresha e burgjeve, Ragna Bjarnadóttir thotë se nuk mund të komentojë raste individuale, por shpjegon se rregulli i përgjithshëm është që, kur përdoret kjo mundësi e përkohshme, të burgosurit shoqërohen deri në vendin e tyre të origjinës nga njësia e kthimit dhe eskortës së Policisë Kombëtare, pasi Shërbimi i Burgjeve ka marrë vendimin për lirimin me kusht dhe Drejtoria e Emigracionit ka marrë vendimin për dëbimin dhe ndalimin e rikthimit.
Armando Beqiraj u ekzekutua me pistoletë me silenciator më 13 shkurt 2021 në derë të shtëpisë, rreth orës 23:57, sapo ishte kthyer në shtëpi dhe kishte parkuar makinën. Beqiraj jetonte prej vitesh në Islandë dhe ishte pronar i një kompanie sigurie fizike, që në shumë pak kohë kishte arritur një sukses të mënjëhershëm. 33-vjeçari nga Tepelena la pas gruan e tij shtatzënë dhe një djalë të vogël, të cilët ishin në shtëpi kur ai u qëllua.
Angjelin Sterkaj ishte fshehur në një garazh dhe kur viktima doli nga garazhi pranë shtëpisë së tij, pasi parkoi makinën, u qëllua 9 herë në trup dhe kokë me një pistoletë Sig Sauer të kalibrit 22. Në Shqipëri, Sterkaj ishte shpallur në kërkim për vjedhje e dhunë.