TIRANË- Gjykata e Lartë ka prishur vendimin e Gjykatës së Apelit në Tiranë të datës 12 korrik 2023, me të cilin Mexhit Picari ishte dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e dhëndrit të tij, Kudret Saliaj. Me vendimin e saj, Gjykata e Lartë ka urdhëruar që çështja të rigjykohet nga një tjetër trupë gjykuese në Gjykatën e Apelit.
Në vendimin e 12 korrikut 2023, Apeli la në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm për Mexhit Picarin, ndërsa vajza e tij, Dhurata Saliaj, u dënua me 4 vite e 6 muaj burg, pasi u shpall fajtore për veprën penale që lidhej me ngjarjen Kjo e fundit akuzohet për krijim të kushteve për të kryer vrasjen.
Vendimi i Gjykatës së Lartë erdhi pas rekursit të paraqitur nga avokati Adriatik Cama, i cili mbeti i plagosur gjatë atentatit ku humbi jetën Kudret Saliaj, pranë Gjykatës Civile në Tiranë, në qershor të vitit 2021. Në rekursin e tij, Cama kërkonte që edhe Dhurata Saliaj, vajza e Mexhit Picarit dhe ish-bashkëshortja e viktimës, të shpallej fajtore për bashkëpunim në vrasje.
Ngjarja e rëndë ndodhi në vitin 2021, ndërsa si pasojë e përplasjeve u plagos edhe avokati Adriatik Cama. Çifti Dhurata e Kudret Saliaj, ishin në proces divorci për shkak se kishin mosmarrëveshje, kur ndodhi krimi i rëndë në muajin qershor të 2021. Viktima, Kudret Saliaj mbërriti në një lokal pranë gjykatës së Tiranës, ku priste të zhvillohej seanca e radhës për divorcin dhe ndodhej në praninë e avokatit të tij si dhe një punonjëseje sociale. Vjehrri i tij Mexhit Picari pasi e vëzhgoi bashkë me të bijën Dhurata Saliaj, e qëlloi për vdekje dhëndrin, teksa në ngjarje mbeti i plagosur edhe avokati Adriatik Cami. /ZËRI
