TIRANË-Analisti dhe gazetari Ilir Demalia është dhunuar në afërsi të shtëpisë së tij nga dy persona. Në fotot e publikuara shihen dëmtimet që ka marrë Demalia në pjesën e fytyrës. Shkak i dhunës dyshohet të jetë bërë parkimi në lagjen ku banon Demalia.
Anilisti ka kallëzuar sulmin në polici, ku pretendon se autor është një banor i zonës, që e kishte akuzuar se kishte lajmëruar policinë për të shkuar për të gjobitur makinat e parkuara keq në rrugë. Policia ka identifikuar njërin prej autorëve të dyshuar dhe e ka shpallur në kërkim. Kallëzimi është bërë në Komisariatin e Policisë Nr. 3, ndërsa efektivët kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.
Njoftimi i policisë:
Sot, më datë 01.07.2026, rreth orës 12:00, në rrugën “Çamëria”, dyshohet se, për motive të dobëta, është goditur me grusht gazetari, shtetasi I. D., i cili është transportuar në spital për të marrë ndihmë mjekësore.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe, falë veprimeve të shpejta hetimore, është bërë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar të ngjarjes, shtetasit R. S., i cili është shpallur në kërkim. Vijon puna intensive për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Në vijim të veprimeve procedurale, është bërë bllokimi dhe sekuestrimi i automjetit të përdorur nga autori i dyshuar.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për dokumentimin e plotë ligjor të rrethanave të ngjarjes.