PALASË-Kompania “Gjikuria” është ndëshkuar nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit pasi gjatë një inspektimi, impianti i trajtimit të ujërave të ndotura të subjektit operonte pa Leje Mjedisore të Tipit B. IKMT njofton se lidhur me shkeljen kompania është gjobitur, ndërsa i është lënë detyrë të pajiset me Leje Mjedisore përkatëse.
Kjo është gjoba e dytë brenda një muaji, pasi më 29 maj 'Gjikuria' u ndëshkua me 1 milionë lekë gjobë për hedhjen e dhera dhe inerte në fshatin Dhërmi.
Njoftimi:
Në kuadër të garantimit të zbatimit të ligjshmërisë, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit kreu një inspektim në zonën e Palasës në subjektin Gjikuria.
Trupa inspektuese e Drejtorisë së Inspektimit të Mjedisit dhe Ujërave konstatoi se impianti i trajtimit të ujërave të ndotura operonte pa Leje Mjedisore të Tipit B.
Për këtë shkelje u vendos masë administrative me gjobë si dhe iu la detyrë subjektit të pajiset me Leje Mjedisore të Tipit B, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
