Aktualitet

Vijon 'lufta' me flakët! 31 vatra zjarri në 24 orë, 3 aktive në Dajt, Dibër e Bulqizë

Zjarri vijon në Ballenjë, Dibër forcat zjarrfikëse ndodhen në terren për të vendosur nën kontroll flakët, ndërsa raportohet se  nuk ka rrezik për zonat e banuara.

F.I
Vijon 'lufta' me flakët! 31 vatra zjarri në 24 orë, 3
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË-Gjatë 24 orëve të fundit në vendin tonë janë regjistruar 31 vatra zjarri, nga të cilat 3 mbeten aktive dhe 6 po mbahen në monitorim. Ministria e Mbrojtjes njofton se po punohet për shuarjen e flakëve në malin e Dajtit, ku për shkak të terrenit të vështirë ka ndërhyrë edhe 1 helikopter i FA-së. 

Zjarri vijon në Ballenjë, Dibër forcat zjarrfikëse ndodhen në terren për të vendosur nën kontroll flakët, ndërsa raportohet se  nuk ka rrezik për zonat e banuara. Edhe në Qafën e Helmës, Bulqizë, vatra vijon aktive. Sa i përket Pukës, një nga zonat më problematike, ku zjarri vijoji prej ditësh, raportohet se flakët janë shuar plotësisht, ndërsa zonat vijojnë të mbahen nën monitorim

NJOFTIMI: 

Ministria e Mbrojtjes - informim mbi situatën e zjarreve gjatë 24 orëve të fundit

Bazuar në informacionet e raportuara nga strukturat e sistemit të mbrojtjes civile, gjatë 24 orëve të fundit, janë raportuar në total 31 vatra zjarri, nga të cilat 3 mbeten aktive dhe 6 janë nën mbikëqyrje.

Për menaxhimin e situatës janë angazhuar në total 370 forca operacionale dhe 22 automjete zjarrfikëse. Forcat e Armatosura kanë mbështetur operacionet me 70 efektivë, 1 automjet zjarrfikës, 1 ekskavator të rëndë me zinxhir dhe 3 helikopterë.

Tre vatrat aktive janë në Malin e Dajtit, Ballenjë dhe Qafën e Helmës.

Në Malin e Dajtit, gjatë ditës së djeshme u angazhuan 30 efektivë të FA-së dhe 30 efektivë zjarrfikës, ndërsa për shkak të terrenit të vështirë u aktivizua edhe 1 helikopter i FA-së. Sot operacioni vijon me 20 efektivë të FA-së dhe nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në Ballenjë, Dibër, vatra vijon aktive në terren të thepisur dhe shkëmbor; për ndërhyrjen janë angazhuar 5 forca të ADZM Dibër, ndërsa nuk paraqitet rrezik për zonat e banuara.

Në Qafën e Helmës, Bulqizë, vatra vijon aktive dhe mbahet nën monitorim nga 4 efektivë të MZSH Bulqizë, gjithashtu pa rrezik për zonat e banuara.

Situata paraqitet e përmirësuar në Pukë. Në zonën e Tërbunit, Gojanit dhe Gjegjanit, gjatë ditës së djeshme u angazhuan 83 forca, të mbështetur 40 efektivë të FA-së, dhe 1 helikopter të FA-së. Zjarri në Gjegjan, Gojan të Vogël dhe Gojan të Madh është shuar plotësisht, ndërsa zonat vijojnë të mbahen nën monitorim.

Në qarqet e tjera, pjesa më e madhe e vatrave të raportuara janë shuar ose po mbahen nën mbikëqyrje. Nuk raportohen situata me rrezik për zonat e banuara nga vatrat aktive.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.

Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.

Poll

MOS HUMB