Aktualitet

Qeveria anuloi koncesionin e Aeroportit të Vlorës, Pacolli jep 6 muaj kohë për marrëveshje: Të hapur për dialog

Pacolli ka lënë gjashtë muaj kohë afat për të gjetur një marrëveshje me qeverinë shqiptare

F.I
Qeveria anuloi koncesionin e Aeroportit të Vlorës, Pacolli jep 6 muaj
Behgjet Pacolli

TIRANË-Biznesmeni Behgjet Pacolli ka njoftuar hapin e radhës së kompanisë MABCO, pasi Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë nini procedurat për anulimin e koncesionit të Aeroportit të Vlorës, për shkak të mospërmbushjes së detyrimeve kontraktuale lidhur me respektimin e afateve për ndërtimin e tij. Pacolli ka lënë gjashtë muaj kohë afat për të gjetur një marrëveshje me qeverinë shqiptare, përpara se konflikti për Aeroportin e Vlorës të përfundojë në arbitrazh ndërkombëtar.

Në një reagim të fundit në rrjete sociale, biznesmeni shkruan se i ka dërguar autoriteteve shqiptare një “Notice of Dispute”, duke aktivizuar periudhën 6-mujore të negociatave. Sipas tij, të dy palët kanë një periudhë gjashtëmujore që të zgjidhen mosmarrëveshjet mes tyre përmes dialogut. Po ashtu ai thekson se kompania e tij, ka bërë përpjekje të vazhdueshme për gjetjen e një zgjidhje, por nuk ka marrë një përgjigje.

Pacolli deklaron se kompania e tij do të respektojë periudhën gjashtëmujore, me shpresën se autoritetet shqiptare do të angazhohen në mënyrë konstruktive për zgjidhjen e “mosmarrëveshjes” dhe për shmangien e arbitrazhit.

Reagimi i plotë i Behgjet Pacollit:

Duke u nisur nga fakti se, që prej vitit të kaluar, MABCO është, dhe edhe tani mbetët e PRIVUAR nga çdo qasje efektive në procesin e vendimmarrjes së ndërmarrjes VIA, si dhe i është pamundësuar ushtrimi i të drejtave që burojnë nga pronësia e saj prej 98% të kuotave si pasojë e drejtpërdrejtë e veprimeve dhe mosveprimeve të Autoritetit Kontraktor dhe autoriteteve të tjera kompetente.

Kjo gjendje ka ndikuar drejtpërdrejt edhe në bllokimin e punimeve në Aeroport, që në fakt nga prilli 2026, MABCO është privuar nga qasja në hapësirat dhe objektet të cilat janë ndërtuar përmes investimeve marramendëse të vetë kompanisë, duke i pamundësuar në praktikë administrimin, mbrojtjen dhe shfrytëzimin e investimit të saj. Pasi janë shteruar përpjekjet për gjetjen e një zgjidhjeje përmes rrugëve të tjera, MABCO u ka dërguar autoriteteve shtetërore shqiptare një “Notice of Dispute” në përputhje me Marrëveshjen Bilaterale ndërmjet Zvicrës dhe Shqipërisë për nxitjen dhe mbrojtjen reciproke të investimeve (BIT).

Aktualisht, çështja ndodhet në periudhën gjashtëmujore të “cooling-off”, të parashikuar për t’u dhënë palëve mundësinë që mosmarrëveshjen ta zgjidhin përmes dialogut dhe negociatave për të evituar ARBITRAZHIT NDERKOMBETARE, ICSID pranë BANKËS BOTËRORE ne Washington. Gjatë gjithë kësaj periudhe, MABCO u ka bërë thirrje të vazhdueshme autoriteteve të Republikës së Shqipërisë për dialog konstruktiv dhe për gjetjen e një zgjidhjeje të arsyeshme. Fatkeqësisht, deri më sot, këto thirrje nuk kanë marrë një përgjigje konkrete.

Pavarësisht kësaj, MABCO do ta respektojë në tërësi periudhën e parashikuar nga kuadri përkatës juridik, me shpresën se autoritetet shqiptare do të angazhohen në mënyrë konstruktive për zgjidhjen e “mosmarrëveshjes” dhe për shmangien e instancës së fundit, përkatësisht arbitrazhit ndërkombëtar. MABCO mbetet e gatshme për dialog dhe për një zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme. Megjithatë, mundësia për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të kësaj “mosmarrëveshjeje” varet tashmë nga gatishmëria dhe vullneti i autoriteteve të Republikës së Shqipërisë për t’u angazhuar në mënyrë konstruktive në këtë proces.

Punimet në Aeroportin e Vlorës duhej të përfundonin në shkurt 2026, ndërsa kontrata parashikonte edhe 90 ditë shtesë, por aeroporti nuk u përfundua brenda afatit. Shkak për vonesat u bënë mosmarrëveshjet mes kompanive koncesionare “MABCO” dhe “2A Group”.

Më 3 qershor, ministri Enea Karakaçi u kishte dhënë palëve 30 ditë kohë për zgjidhjen e konfliktit, por mosmarrëveshjet u thelluan. Përplasjet mes dy kompanive koncesionare janë shoqëruar edhe me incidente në kantier. Në disa raste, përfaqësuesit dhe punonjësit e dy kompanive janë përplasur mes tyre, duke krijuar situata tensioni dhe duke penguar vijimin normal të punimeve.

Ndërkohë, mësohet se kompanive u janë vendosur edhe gjoba për vonesat. Fati i mëtejshëm i Aeroportit të Vlorës do të përcaktohet pas përfundimit të procedurave për zgjidhjen e kontratës koncesionare./ZËRI

Poll

MOS HUMB