TIRANË-Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) ka paralajmëruar qytetarët për një skemë të dyshuar mashtrimi në Facebook, ku përdoren pa autorizim imazhi dhe zëri i mjekut të njohur Flamur Topi.
Në rrjetin social janë një sërë videosh të manipuluara me inteligjencë artificiale që reklamojnë në Facebook produkte farmaceutike për prostatën me zërin dhe imazhin e mjekut Flamur Topi, por sipas AMA-s, qëllimi është përvetësimi i të dhënave bankare të qytetarëve.
Sipas njoftimit të AMA-s, institucioni është vënë në dijeni nga familjarët e mjekut Flamur Topi se në Facebook po publikohen video që përdorin pa autorizim imazhin dhe zërin e tij.
Materialet dyshohet se janë krijuar duke marrë fragmente nga emisionet e vjetra “Trupi dhe shëndeti”, të transmetuara në RTSH, dhe duke manipuluar me inteligjencë artificiale zërin e mjekut. Në këtë mënyrë, atij i atribuohen deklarata që, sipas denoncimit, nuk i ka bërë kurrë, duke krijuar përshtypjen se rekomandon produkte të caktuara farmaceutike.
AMA u bën thirrje qytetarëve të verifikojnë videot dhe reklamat që premtojnë shërimin e sëmundjeve, edhe kur në to shfaqen figura të njohura, të mos blejnë produkte shëndetësore pa u këshilluar me mjekun, të mos japin të dhëna personale apo bankare në faqe të dyshimta dhe të raportojnë videot apo reklamat e manipuluara në platformat ku publikohen.
NJOFTIMI:
KUJDES NGA VIDEOT E MANIPULUARA!
PAS REKLAMAVE TË RREME MUND TË FSHIHEN EDHE TENTATIVA PËR MARRJEN E TË DHËNAVE BANKARE!
Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) është vënë në dijeni nga familjarë të mjekut të njohur, dr. Flamur Topi, se në Facebook po qarkullojnë video që përdorin pa autorizim imazhin dhe zërin e tij.
Sipas raportimit, fragmente nga emisione të vjetra “Trupi dhe shëndeti”, të transmetuara në RTSH, janë manipuluar përmes inteligjencës artificiale, duke krijuar përshtypjen sikur dr. Flamur Topi rekomandon dhe reklamon produkte të caktuara shëndetësore.
Por rreziku nuk qëndron vetëm te keqinformimi! Përmbajtje të tilla mund të përdoren edhe për të orientuar qytetarët drejt faqeve të dyshimta, ku rrezikojnë të ekspozojnë të dhënat e tyre personale dhe bankare.
Këto praktika shfrytëzojnë besimin e publikut te figura të njohura dhe profesionistë të respektuar, duke synuar veçanërisht qytetarët më pak të familjarizuar me teknologjinë digjitale. Materiale të tilla mund të qarkullojnë edhe si reklama të sponsorizuara.
AMA u bën thirrje qytetarëve:
Verifikoni videot dhe reklamat që premtojnë shërimin e sëmundjeve, edhe kur shfaqin figura të njohura.
Mos blini produkte shëndetësore pa u këshilluar me mjekun.
Mos klikoni lidhje të dyshimta dhe mos jepni të dhëna personale apo bankare.
Raportoni përmbajtjet e manipuluara në platformat ku publikohen dhe pranë AMA-s, në www.ama.gov.al.
Jo çdo video që duket reale është e vërtetë!
Inteligjenca artificiale mund të imitojë fytyrën dhe zërin e kujtdo. Prandaj, verifikimi i informacionit është sot edhe një mënyrë për të mbrojtur veten dhe të dhënat tona.