TIRANË-Është shtyrë sërish seanca gjyqësore ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO). Edhe këtë herë shkak është bërë mungesa e avokatëve në kuadër të bojkotit të tyre kundër rregullores së re të GJKKO.
Gjykata e Posaçme vendosi të gjobisë me nga 100 mijë lekë të rinj avokatët që nuk u paraqitën në seancë, ndërsa seanca e radhës do të mbahet më 27 tetor. Gjykata e Posaçme njoftoi se do të thërrasin avokatë nga ndihma juridike falas për të përfaqësuar të pandehurit e procesit Veliaj.
Ndërkohë prokurori i SPAK, Altin Dumani ka kërkuar që gjyqi ndaj Erion Veliajt të vijojë pa praninë e avokatëve mbrojtës.
"Mbrojtja është një e drejtë. Duke parë sjelljen e të pandehurve dhe avokatëve, vlerësojmë se Gjykata duhet të shqyrtojë mundësinë që ta konsiderojë sjelljen e tyre si heqje dorë nga kjo e drejtë dhe të vijojë gjyqin pa avokat. Gjykata e Apelit e ka një precedent të tillë, ku ka shqyrtuar çështje pa avokat,"-u shpreh Dumani.
Që prej 9 shtatorit, Dhoma e Avokatisë ka bojkotuar seancat gjyqësore pas hyrjes në fusi të rregullores së re të GJKKO, e cila ndalon mbajtjen dhe përdorimit e telefonave celularë, laptopëve dhe tabletëve brenda sallave të gjyqit për avokatët.
Veliaj ndodhet në qeli që prej 10 shkurtit 2025. Ai së bashku me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, akuzohen për korrupsion në 9 raste. Mbi Veliajn rëndon gjithashtu akuza për 'shpërdorim detyre', 'pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale', 'futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim' dhe refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim./ZËRI
