TIRANË-Prej më shumë se 26 vitesh në arrati, Sokol Hoxha i ka shpëtuar dënimit me burg për vrasjen e dy vëllezërve Hektor dhe Ilirjan Banaj në Patos, ngjarje e ndodhur në vitin 1997. Hoxha kërkoi parashkrimin e dënimit të dhënë në mungesë në vitin 2000 dhe Gjykata e Fierit e pranoi duke i shuar dënimin prej 25 vitesh burg.
Megjithatë, ai do të vijojë të qëndrojë në burg për llogari të autoriteteve belge, pasi ndaj tij është në fuqi një masë sigurie e vendosur më 8 tetor. Në Belgjikë, Hoxha është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e shtetases shqiptare Brunilda Dervishi, gjithashtu në vitin 1997, pasi ishte larguar nga Shqipëria. Vendimi ndaj tij mori formë të prerë në vitin 2010.
Vrasja e Brunilda Dervishit në Belgjikë ndodhi në 1997. Hoxha kishte lidhur martesë me të ndjerën dhe më pas e shfrytëzonte për prostitucion. Dyshohet se prostitucioni ishte aktiviteti kryesor i Hoxhës në Belgjikë. Dervishi u vra në një bar në Bruksel, pasi dyshohet se kishte kundërshtuar të vazhdonte t’i bindej Hoxhës.
Pasi kreu vrasjen në Belgjikë, Hoxha u arratis fillimisht drejt Mbretërisë së Bashkuar dhe më pas drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës ku, me një identitet tjeterë, qëndroi i fshehur dhe në arrati për rreth 29 vite. Shtetet e Bashkuara të Amerikës ekstraduan Sokol Hoxhën drejt Shqipërisë, me Charter Flight, më 6 gusht./ZËRI
