Aktualitet

U përplas fizikisht me gazetarët gjatë protestës kundër 'Territoriales' në Maliq, Policia procedon penalisht Arjan Asimin

Sipas njoftimit të uniformave blu, 45-vjeçari akuzohet për veprat penale “Kanosje për shkak të detyrës” dhe “Fyerje”.

l.k
U përplas fizikisht me gazetarët gjatë protestës kundër
Momente nga përplasja

MALIQ- Organizatori i protestës kundër Reformës Territoriale në Maliq Arjan Asimi është proceduar penalisht nga Policia, pas përplasjes fizike me disa gazetarë të terrenit. Sipas njoftimit të uniformave blu, 45-vjeçari akuzohet për veprat penale “Kanosje për shkak të detyrës” dhe “Fyerje”.

NJOFTIMI I POLICISË:

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Maliq referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal ndaj shtetasit A. A., 45 vjeç, banues në fshatin Libonik, Maliq, për veprat penale “Kanosja për shkak të detyrës” dhe “Fyerja”.

Ditën e sotme, gjatë protestës së organizuar nga shtetasi A. A., përpara Bashkisë Maliq, ky shtetas kanosi dhe fyeu shtetasit Xh. Sh., A. B., I. R., S. Xh., Dh. Ç. dhe E. Xh., me profesion gazetarë, të cilët ishin të pranishëm në protestë në ushtrim të detyrës së tyre.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.

Protesta e sotme kundër ‘Territoriales’ në Maliq përfundoi me përplasjen fizike mes organizatorit Arjan Asimi dhe gjashtë gazetarëve të terrenit.

Gazetarët po zhvillonin intervista me banorët, ku 45-vjeçari ka ndërprerë punën e tyre duke i akuzuar ato si të shitur dhe në shërbim të pushtetit. Më pas ai është përplasur fizikisht me gjashtë gazetarët, ndërsa Policia ka ndërhyrë për të qetësuar situatën. Pas sulmit, gazetarët ndërprenë intervistat dhe u larguan nga protesta, duke refuzuar të vijonin raportimin në këto kushte. Më pas ata bënë denoncim për Asimin në Komisariatin e Policisë së Maliqit.

Lidhur me ngjarjen ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë, i cili dënoi sulmin ndaj kolegëve, duke argumentuar se asnjë pakënaqësi ndaj medias nuk justifikon intimidimin, kërcënimin apo dhunën ndaj gazetarëve.

REAGIMI I AGSH-së: Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) shpreh shqetësim serioz për incidentin e ndodhur gjatë një proteste të zhvilluar në Maliq, ku gazetarët që po raportonin nga terreni janë penguar dhe sulmuar gjatë ushtrimit të detyrës.
Sipas dëshmive të gazetarëve të pranishëm, organizatori i protestës, Arjan Asimi, ka ndërhyrë në momentin kur ata po intervistonin qytetarë pjesëmarrës në protestë, duke ndërprerë intervistat dhe duke i akuzuar mediat si “të shitura” dhe “në shërbim të pushtetit”. Situata më pas është përshkallëzuar me ofendime dhe përplasje fizike, duke detyruar gazetarët të ndërpresin raportimin dhe të largohen nga protesta.
AGSH e konsideron të papranueshme çdo formë intimidimi, fyerjeje, kërcënimi apo dhune ndaj gazetarëve, pavarësisht se nga kush ushtrohet ajo dhe pavarësisht bindjeve apo përkatësive politike të personave të përfshirë.
Protesta është një e drejtë demokratike, por po aq themelore është e drejta e gazetarëve për ta raportuar atë lirisht, pa u penguar, fyer apo sulmuar.
Pakënaqësia ndaj mënyrës se si një media raporton nuk mund të shërbejë në asnjë rrethanë si justifikim për agresion ndaj punonjësve të medias.
Gazetarët e përfshirë në incident i janë drejtuar Komisariatit të Policisë Maliq. AGSH u kërkon Policisë së Shtetit dhe autoriteteve kompetente të dokumentojnë plotësisht ngjarjen, të verifikojnë me seriozitet denoncimet e gazetarëve dhe të marrin masat e parashikuara nga ligji.
AGSH u bën thirrje gjithashtu organizatorëve të protestave, përfaqësuesve politikë dhe çdo personi publik që të respektojnë punën e gazetarëve dhe të garantojnë që aktivitetet publike të jenë mjedise të sigurta për raportimin e lirë.

/ZËRI

Poll

MOS HUMB