LEZHË-Elden Tarja, Kristian Ymeri (Shkambi) dhe Vinçesk Piroli, të arrestuar më 9 tetor, teksa ishin nisur për të kryer vrasje janë lënë në burg nga Gjykata e Lezhës. Vrasja ishte planifikuar të kryhej në orët e mëngjesit në Lezhë, por plani dështoi pasi të arrestuarit nuk arritën të identifikonin objektivin e tyre.
Ata dyshohen si autorë të tre vrasjeve përgjatë dy viteve të fundit. Grupi hetimor po mbledh prova pasi ka dyshime se Tarja, Ymeri e Piroli kanë ekzekutuar Artan Myrtajn në Sarandë, si dhe dy vrasje të tjera, një në qarkun e Shkodrës dhe një në Mirditë.
Si u krye arrestimi i tyre-atentati i dështuar
Kristian Ymeri (Shkambi), 34 vjeç dhe Vinçesk Piroli, 38 vjeç të armatosur dhe me skafandra, lëviznin me një motomjet të vjedhur në Suedi, në rrugën e vjetër “Pllanë-Lezhë”, për të kryer krimin. Ndërkohë personi i tretë, Elden Tarja, 25 vjeç ishte vendosur me një automjet në zonën ku kishin planifikuar të kryenin vrasjen, për të ndihmuar ekzekutorët të largoheshin nga vendi ingjarjes.
Pas vëzhgimit dhe krehjes së zonave ku dyshohej se kishte lëvizur motori, në Lezhë dhe në drejtim të Shkodrës, në segmentin rrugor “Gjadër-Barbullush”, u ndalua automjeti tip “Volkswagen”, në të cilin ndodhej Kristian Ymeri(Shkambi) dhe Vinçesk Piroli, me drejtues Elden Tarjan.
Gjatë kontrollit fizik, të motomjetit dhe në banesën e Tarjas dhe përreth saj, u gjetën 3 armë zjarri (pistoleta), me krehra dhe fishekë, municion luftarak, motomjeti i dyshuar i përdorur për të të kryer vrasjen. Policia ka dyshime se të arrestuarit mund të jenë të përfshirë edhe në atentatin e ndodhur në Sarandë mëngjesin e 20 shtatorit, ku u ekzekutua Artan Myrtaj./ZËRI


