
TIRANË- Turqia ka kërkuar zyrtarisht nga Shqipëria të mos avancojë me idenë e krijimit të një shteti bektashi. Kjo kërkesë erdhi përmes kreut të Komisionit të Jashtëm të Turqisë, Fuat Oktay, i cili ndodhet në një vizitë në Tiranë. Lajmin e bëri me dije gjatë një interviste për "MCN", deputeti i Partisë Demokratike, Kreshnik Çollaku.
Sipas Çollakut, i cili ishte i pranishëm në takimin me Oktay, Ankaraja i kërkoi zyrtarisht qeverisë shqiptare të mos avancojë me krijimin e një shteti bektashi dhe po ashtu të stopojë iniciativën e prezantuar nga kryeministri Rama për një republikë fetare brenda shtetit shqiptar. Por jo vetëm kaq!

Edhe njëherë, delegacioni turk ka përsëritur kërkesën për "pastrimin e vendit" nga ata që i cilëson si anëtarë të organizatës "FETO", të tashmë të ndjerit, Fetullah Gulen.
Qeveria shqiptare planifikon të ndërtojë në sipërfaqen prej 27 hektarësh, mikro-shtetin e quajtur "Shteti Sovran i Urdhrit Bektashi”, i cili do të ketë kufijtë, administratën dhe pasaportat e tij. Kryeministri Edi Rama në një intervistë për 'The New York Times' më shtator të 2024, zbuloi planin se do t'u japë anëtarëve të Bektashinjve, enklavën e tyre të stilit të Vatikanit si një mënyrë për të promovuar tolerancën fetare. Rama tha se qëllimi i shtetit të ri ishte të promovonte një version tolerant të Islamit me të cilin krenohet Shqipëria./ZËRI