
ITALI- Një shtetas shqiptar u ndalua nga Policia e Ravenës në Itali, në ekzekutim të një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Gjykata e Durrësit. Personi në fjalë (emri ende nuk bëhet i ditur), besohet të jetë përgjegjës për marrjen e një ryshfeti prej 200 mijë eurosh, akuzohet se ka lehtësuar në mënyrë të paligjshme disa operacione për një kompani shqiptare, duke mos kryer kontrollet e nevojshme.
Sipas faqes së internetit të Policisë së Shtetit, arrestimi u krye në orët e vona të mëngjesit të sotëm. Agjentët e Zyrës së Parandalimit të Përgjithshëm dhe Ndihmës Publike të Shtabit të Policisë së Ravenës e ndaluan burrin gjatë një kontrolli rutinë, ndërsa ai po drejtonte makinën e tij. Kontrollet e zgjeruara konfirmuan urdhër-arrestin ndërkombëtar ndaj tij.
Pas arrestimit, shqiptari u dërgua në burgun e Ravenës, ku do të mbetet në dispozicion të Gjykatës së Apelit të Bolonjës./ZËRI