
FIER- Duket se puna për krijimin e shtetit të bektashinjve në Tiranë nuk ka filluar akoma. Këtë e ka konfirmuar Kryegjyshi Botëror i bektashinjve Haxhi Dede Edmond Brahimaj. Gjatë një eventi në Mallaksatër, ai u pyet se si po vijonin zhvillimet për krijimin e shtetit sovran të Urdhrit Bektashi, ndërsa Baba Mondi u shpreh se nuk janë marrë akoma hapa konkretë dhe se gjithçka ka mbetur një deklaratë e kryeministrit Edi Rama.
“Nuk ka asgjë konkrete përveç asaj që ka deklaruar kryeministri i Shqipërisë, dhe kur të ketë diçka të re, do të njoftoheni. Nuk kam ardhur për këtë punë këtu”, u shpreh Baba Mondi.
Kryegjyshi Edmond Brahimaj, në një intervistë për “The Jerusalem Post”, ka kërkuar nga qeveria shqiptare të ndërmarrë hapa konkretë për krijimin e një shteti bektashi, duke filluar me ndryshimin e statusit të bektashinjve nëpërmjet një ligji të ri. Sot, ai mori pjesë në përurimin e shtatores së Baba Haxhi Saliajt në fshatin Ninësh, Mallakastër, duke e vlerësuar si simbol të fisnikërisë./ ZËRI