TIRANË- Të shtëna me armë janë regjitruar pak pas mesnate në Tiranë, rreth orës 00:10, në zonën e Shkozës. Mësohet se i plagosur ka mbetur efektivi Anxhelo Kumaraku 30-vjeç, i cili ka qenë jashtë shërbimit.
Sipas burimeve, efektivi i plagosur Anxhelo Kumaraku ndodhej pranë banesës së tij i shoqëruar nga komshiu, një person me masë sigurie “arrest shtëpie” për armëmbajtje pa leje. Paraprakisht dyshohet se objektiv i atentatit ishte pikërisht komshiu, 31-vjeçari Klejdi Spaja, për prishje pazaresh, ndërsa 2 persona (vëllezër) janë shpallur në kërkim. Këta të fundit, sipas burimeve, kanë pasur një përplasje me fqinjin e efektivit para disa muajsh, për çështje borxhi.
Mësohet se fqinji i efektivit i ka dhunuar dy vëllezërit dhe në shenjë hakmarrje ata dyshohet se kanë tentuar ta qëllojnë mbrëmjen e së dielës me arnë, por plumbat kapën policin.
Po sipas burimeve, Kumaraku nuk ka njoftuar policinë për shkeljen e masës së sigurisë nga komshiu i tij, ndërsa mësohet se efektivi ka deklaruar se me personin që ishte objektiv janë shok fëmijërie.
Policia bën me dije se efektivi është dërguar në Spital ku mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë po vijojnë kontrollet intensive në zonë, me qëllim kapjen e autorit/ëve.
Njoftimi:
Tiranë/Informacion paraprak
Më datë 18.05.2026, rreth orës 00:10, në zonën e Shkozës, në rrethana ende të paqarta, është plagosur, dyshohet me armë zjarri, shtetasi A. K., rreth 30 vjeç, punonjës policie jashtë shërbimit.
30-vjeçari është transportuar në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli dhe po vijojnë kontrollet intensive në zonë, me qëllim kapjen e autorit/ëve.
Grupi hetimor dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), nën drejtimin e Prokurorisë, ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për sqarimin e plotë të rrethanave, identifikimin e autorit/ëve dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.