TIRANË- Një grabitje me armë u regjistrua në mes të ditës në Kamëz, të shtunën, ku dy persona të maskuar janë futur në një argjendari në pronësi të shtetasit O. L, dhe kanë marrë një sasi bizhuterish.
Lidhur me ngjarjen, Policia e Tiranës ka shoqëruar disa persona me precedent të mëparshëm penal në zonën e Kamzës për të cilët po kryen verifikime nëse kanë lidhje me grabitjen.
Megjithëse ende nuk ka një emër të dyshuar të autorëve, kamerat e sigurisë kanë ndjekur itinerarin e tyre. Sipas burimeve, autorët, të cilët në çdo sekuencë shfaqen të maskuar, janë larguar menjëherë drejt Zallherrit me motor. Në një moment kanë rrëshqitur dhe janë rrëzuar, por më pas kanë vijuar arratisjen.
Ndërkohë, në pyetje është marrë edhe punonjësja e argjendarisë, e cila ka deklaruar se nuk është përballur me grabitësit, pasi në momentin e ngjarjes ndodhej në pjesën e pasme të dyqanit dhe jo pranë banakut.
“Nuk kam pasur asnjë përballje me autorët në momentin e grabitjes. Isha në banak, por në pjesën e pasme të tij”, mësohet se ka rrëfyer punonjësja.
Ngjarja ndodhi mesditën e të shtunës, 16 maj, në orën 13:00, ku dy persona të maskuar ende të paidentifikuar kanë hyrë me armë zjarri në ambjentet e argjendarisë dhe kanë marrë një sasi bizhuterish. Autoritetet kanë ngritur pika kontrolli dhe po punohet për identifikim dhe kapjen e autorëve./ZËRI