DURRËS- Një tjetër ngjarje e rrezikshme u regjistrua ditën e djeshme në Durrës, në zonën e ish-Kënetës.
Një 44-vjeçar, i identifikuar si Rezart Abazaj, u arrestua në flagrancë pasi, në gjendje të dehur, përplasi automjetin e patrullës së policisë që po e ndiqte për ta ndaluar. Patrulla ishte njoftuar nga banorë të zonës për një drejtues që lëvizte me shpejtësi dhe në mënyrë të pakontrolluar në lagjen 17, në zonën e ish-Kënetës.
Sipas burimeve, 44-vjeçari u ndoq nga policia pas sinjalizimeve se po qarkullonte me shpejtësi të lartë dhe po kryente manovra të rrezikshme në zonë.
Siç shihet edhe në pamjet e mëposhtme të siguruara nga ZËRI, 44-vjeçari përpiqet të lëvizë mbrapsht me makinë në momentin që u ndalua nga policia, por përplaset me automjetin e tyre. Në atë momet, shihet se njëri prej efektivëve shkon nga ana e shoferit, i cili pas neutralizimit iu nënshtrua testit të alkoolit.
Nga verifikimet rezultoi se ai kishte nivel alkooli 1.4 mg/l, shumë mbi normat e lejuara. Abazaj ishte arrestuar edhe më herët për drejtim automjeti në gjendje të dehur.
Mësohet se ngjarja ka ndodhur në zonën e ish-kënetës, aty ku pak ditë më parë humbën jetën dy të mitur, pasi u aksidentuan nga Nikoll Radaçi./ZËRI