Aktualitet

Propozoi largimin nga puna e qindra punonjësve! Sindikata e RTSH: Shehaj e shkeli vijën e kuqe me median

Sindikata e RTSH-së shprehet se propozimi i tij për të larguar nga puna me qindra punonjës, është kalimi i vijës së kuqe dhe cënim i lirisë së medias në Shqipëri.

F.I
Propozoi largimin nga puna e qindra punonjësve! Sindikata e RTSH: Shehaj e
Agron Shehaj

TIRANË- Sindikata e Radio Televizionit Shqiptar ka reaguar në lidhje me një deklaratë të bërë nga kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, i cili kërkoi shkurtime në saftin e televizionit publik. Shehaj u shpreh se paratë për financimin e televizionit publik janë para të shpenzuara kot. Kreu i Partisë Mundësia deklaroi se me largimin e punonjësve të RTSH, do të kurseheshin mbi 30 milionë euro në vit.

“Një televizion publik që nuk e shikon askush, nuk e ndjek askush, dhe nuk ka asnjë ndikim real, shpenzon 30 milionë euro në vit nga taksat tuaja. Vetëm një shembull nga shumë të tjerë. Kështu i kursej unë Shqipërisë 1 miliard euro në vit, duke ndalur abuzimin, jo shërbimin;duke larguar parazitët, jo mësuesit e mjekët”,-u shpreh Shehaj.

Në një përgjigje për Shehajn, sindikata e RTSH-së shprehet se propozimi i tij për të larguar nga puna me qindra punonjës, është kalimi i vijës së kuqe dhe cënim i lirisë së medias në Shqipëri. Sindikata kërkon reagimin e institucioneve ndërkombëtare dhe drejtpërdrejt OSCE Presence in Albania si organizmi që ka investuar në trajnimin e punonjësve të Radio Televizionit Shqiptar, U.S. Embassy Tirana , European Broadcasting Union – EBU dhe KQZ Shqiperi.

REAGIMI I PLOTË I SINDIKATËS: 

Agron Shehaj E SHKELI VIJËN E KUQE ME MEDIAN

SINDIKATA E RADIO TELEVIZIOINIT SHQIPTAR shpreh indinjatën për përdorimin politik e elektoral, të medias Publike, nga një prej kandidatëve në zgjedhjet Parlamentare.

Propozimi i tij për të larguar nga puna me qindra punonjës, secili i vlerësuar në profesionin e vet, është kalimi i vijës së kuqe dhe cënim i Lirisë së Medias në Shqipëri.

Z. Agron Shehaj nuk mund ta çojë as në mend që të krahasojë median publike me atë private. Misioni i tyre është komerçial, ndërsa i RTSH Radio Televizioni Shqiptar udhëhiqet nga përfaqësimi i të gjitha kategorive sociale në vend.

Deklaratat e z. Agron Shehaj për nivelin e profesionalizmit të RTSh nuk mund të bëhen nga kafeneja apo zyra elektorale e partive.

Qëllimi i tij, dukshëm populizëm për të mbledhur vota nuk i shërben lirisë së medias. Sindikata Rtsh kërkon reagimin e institucioneve ndërkombëtare dhe drejtpërdrejt OSCE Presence in Albania si organizmi që ka investuar në trajnimin e punonjësve të Radio Televizionit Shqiptar, U.S. Embassy Tirana , European Broadcasting Union - EBU dhe KQZ Shqiperi .

Kërkojmë tërheqjen e kandidatit z. Agron Shehaj nga deklaratat kërcënuese për 1046 punonjës të RTSh në të gjithë Shqipërinë, që nga punonjësi i mirëmbajtjes së antenave e deri te trupa e gazetarëve.

Kërkojmë nga z. Agron Shehaj ndjesë publike, në rast të kundërt dyshojmë për qëllime personale të tij duke sulmuar RTSH.

Deklaratë e përbashkët e qindra punonjësve!

Poll

MOS HUMB