
TIRANË- Kreu i partisë “Lëvizja Bashkë”, Arlind Qori, iu është përgjigjur deklaratës së Agron Shehaj për mbylljen e Radio Televizionit Shqiptar. Qori shprehet se RTSH është një media publike ku qytetarët mund të ndjekin programe të ndryshme. Më tej, ai shton se politika ka si detyrë të shëndoshi instuticionet publike dhe jo t’i shkulin ato. Sipas tij, me këtë logjikë duhen mbyllur edhe spitalet publike, shkollat publike etj.
“RTSH, si çdo institucion publik, mund dhe duhet kritikuar, sidomos për sa i përket anësisë politike. Mirëpo sot ajo mbetet e vetmja dritare televizive jokomerciale, ku qytetari mund të ndjekë muzikë klasike, një shfaqje teatrale apo një diskutim mbi kulturën. Të marrësh për antipod e shembull Klanin, televizion tipik oligarkësh dhe një nga instrumentet kryesore të propagandës qeveritare, është paturpësi, në mos shërbëtori e drejtpërdrejtë ndaj oligarkëve të televizioneve private.
Detyrë e politikës është t'i shëndoshin institucionet publike, jo t'i shkulin me rrënjë. Sipas logjikës adhamudhiane - të dhemb syri, kreje - duhen mbyllur edhe spitalet publike, shkollat publike etj. Mund t'i marrin oligarkët me koncesion edhe këto. Lëvizja BASHKË ka një kapitull të veçantë të programit të saj për median, në të cilin formulohet edhe alternativa jonë për mbështetjen dhe shëndoshjen e Radio Televizionit Shqiptar”, shkruan Qori.
Kreu i Partisë “Mundësia”, Agron Shehaj kërkoi mbylljen e RTSH-s, pasi shprehet se paratë për financimin e televizionit publik janë para të shpenzuara kot. Sipas tij, me mbylljen e RTSH do të kurseheshin mbi 30 milionë euro në vit.
“Një televizion publik që nuk e shikon askush, nuk e ndjek askush, dhe nuk ka asnjë ndikim real, shpenzon 30 milionë euro në vit nga taksat tuaja. Vetëm një shembull nga shumë të tjerë. Kështu i kursej unë Shqipërisë 1 miliard euro në vit, duke ndalur abuzimin, jo shërbimin;duke larguar parazitët, jo mësuesit e mjekët”, shprehet Shehaj./ZËRI