Aktualitet

Shtyhet seanca në themel! Veliaj nuk shkon në GJKKO, gjykata refuzon 5 kërkesat e kryebashkiakut

Përmes një shkrese, Veliaj i është drejtuar gjykatës duke njoftuar se nuk do të paraqitet në seancë me argumentin se mbajtja e tij në kafaz nuk është dinjitoze.

F.I
Shtyhet seanca në themel! Veliaj nuk shkon në GJKKO, gjykata refuzon 5
Erion Veliaj

TIRANË-Në Gjykatën e Posaçme ka filluar seanca e parë e gjyqit në themel për kryebashkiakun Erion Veliaj. Për shkak të kërkesës së mbrojtjes së një prej të pandehurve të tjerë, Ajola Xoxa, gjykata vendosi shtyrjen e seancës për datën 23 qershor, ora 10:00.

Po edhe në këtë seancë kryebashkiaku ka zgjedhur të mos të paraqitet. Veliaj shprehet se nuk do të jetë i pranishëm në seancë, pasi SPAK nuk i ka dorëzuar fashikujt e munguar dhe provat dixhitale. Po ashtu kryebashkiaku ka përsëritur kërkesën e tij, për të qëndruar në seancë jashtë kafazit të xhamit të gjykatës.

"Nuk do të jem i pranishëm pasi SPAK nuk ka zbatuar vendimin e Gjykatës për të dorëzuar fashikujt e munguar dhe provat dixhitale dhe të mundesojë të marr pjesë si njeri i lirë në sallën e gjyqit. Kërkoj të përfaqësohem nga avokati Plarent Ndreca", ka deklaruar Veliaj.

Megjithatë, avokati i tij, Plarent Ndreca sqaroi se aktet i kanë marrë vetëm dje në orën 15:00 dhe kërkoi kohë që të njihet me aktet. Gjykat arrëzoi 5 kërkesat e kryebashkiakut të Tiranë, ku kërkesa për transmetim live të seancës u konsiderua e përsëritur dhe u refuzua nga trupi gjykues, i cili u shpreh se seanca është publike, por kjo nuk nënkupton detyrimisht transmetim të drejtpërdrejtë në media.

Ndërkohë u rrëzua kërkesa për nxjerrjen e të pandehurit nga ambienti i ndarë me xham, duke argumentuar se një masë e tillë nuk cenon të drejtat procedurale të të pandehurit dhe lidhet me mbarëvajtjen e procesit. Edhe kërkesa për zhvillimin e seancave më shpesh se një herë në javë, si dhe kërkesat që lidhen me provat digjitale u refuzuan.

Më 9 shkurt, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosi të kalojë për gjykim dosjen në ngarkim të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, bashkëshortes së tij Ajola Xoxa, si dhe të pandehurve të tjerë.

Veliaj ndodhet në qeli që prej 10 shkurtit 2025. Ai së bashku me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, akuzohen për korrupsion në 9 raste. Mbi Veliajn rëndon gjithashtu akuza për 'shpërdorim detyre', 'pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale', 'futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim' dhe refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim./ZËRI

Poll

MOS HUMB