TIRANË- GJKKO ka shtyrë seancën gjyqësore ndaj kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj dhe të akuzuarve të tjerë për shkak të mungesës së disa avokatëve mbrojtës. Në seancë munguan avokatët Maks Haxhia, Dritan Jahaj, Aranit Rroshi dhe Artit Cami.
Në këto kushte, prokurori Ols Dado ka kërkuar shtyrjen e procesit dhe pezullimin e afateve të paraburgimit për Veliajn, duke argumentuar mungesën e përfaqësimit ligjor të plotë.
Nga ana tjetër, avokati Plarent Ndreca është shprehur kundër pezullimit të afateve të paraburgimit, duke e konsideruar të pajustifikuar këtë vendim.
Kryebashkiaku Veliaj nuk mori pjesë në seancë. Përmes një shkrese, Veliaj i është drejtuar gjykatës duke njoftuar se nuk do të paraqitet në seancë me argumentin se mbajtja e tij në kafaz nuk është as e dinjitoze dhe për këtë arsye kërkon të përfaqësohet nga avokati i tij, Plarent Ndreca.
“Nuk është e hijshme e as dinjitoze”, mësohet të ketë shkruar Veliaj.
Ndërkohë, një tjetër vendim që u mor në këtë seancë ishte vënia në dispozicion e 24 fashikujve hetimorë. GJKKO urdhëroi që Veliajt t'i jepen 24 nga 61 fashikujt e dosjes, kërkesë e përsëritur e mbrojtjes së kryebashkiakut.
Diskutime në seancën në GJKKO:
Prokurori Ols Dado: Për shkak të mungesës së disa avokatëve Prokuroria e Posaçme çmon se kjo seancë nuk mund të zhvillohet.
Avokati Plarent Ndreca: Fakti që avokati i Laert Haxhisë është në atë gjyq, kjo bëhet shkak qe Erjon Velisë në këtë gjyq t’i pezullohen afatet e paraburgimit. Ne nuk po bëhemi pengesë për zhvillimin e gjykimit dhe ka asnjë arsye përse të pezullohen afatet e paraburgimit. Nga ana tjetër kemi bërë kërkesë me shkrim më herët të na jepni vendimin e arsyetuar përse i janë pezulluar afatet e paraburgimit Veliajt?
Gjykata: Fillimisht gjykata vendos që qendra “Harabel” të mbrohet nga avokati Henrik Ligori, krahas avokatit Arjan Salati. Por gjykata konstaton se kjo seancë nuk mund të vijojë duke qenë se janë pa mbrojtje Mirton Lika, “Lani” sh.p.k., Erald Sinixhiu dhe shoqata “Eventus”, që mbrohet nga avokati Aranit Roshi.
Nga data 16 qershor, procesi ndaj Veliajt do të zhvillohet çdo të martë në orën 10:00.
Më 9 shkurt, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosi të kalojë për gjykim dosjen në ngarkim të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, bashkëshortes së tij Ajola Xoxa, si dhe të pandehurve të tjerë.
Veliaj ndodhet në qeli që prej 10 shkurtit 2025. Ai së bashku me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, akuzohen për korrupsion në 9 raste. Mbi Veliajn rëndon gjithashtu akuza për 'shpërdorim detyre', 'pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale', 'futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim' dhe refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim./ZËRI
