TIRANË- Hetimet për zhdukjen e 34-vjeçarit Eglant Koçi vijojnë, ndërsa detaje të reja hedhin dritë mbi ngjarjen. Koçi humbi kontaktet me familjarët mbrëmjen e 4 qershorit, natën kur shkoi për të takuar Armand Shakajn, në rrugën Ismail Qemali në Tiranë.
Personi i fundit që e takoi Koçin
Armand Shakajn, i njohur si Mand Dhelpra 41-vjeç, rezulton të jetë personi i fundit që e ka takuar 34-vjeçarin, dhe si rrjedhojë është autori kryesor i shpallur në kërkim nga policia.
Dyshohet se një konflikt i mëparshëm i tyre për një shumë të konsiderueshme parash është shkak i të gjithë ngjarjes që çoi në zhdukjen e Eglant Koçit. Bëhet fjalë për para që në fakt, dyshohet se ishin marrë nga Armand Shakaj dhe jo nga Koçi. Madje, edhe sipas policisë, deri tani pista kryesore është pikërisht kjo, pasi sipas të dhënave i shpalluri në kërkim Shakaj jepte para me fajde.
Ngjarjet e natës së 4 qershorit
Dyshimet janë se natën e zhdukjes së Koçit, ky i fundit është thirrur nga Armand Shakaj për takim sqarues.
Fillimisht takimi do të zhvillohej pranë Fast Food-it që Shakaj kishte në rrugën Ismail Qemali. Aty ai ka komunikuar me kamarierin e tij, 25-vjeçarin Enea Zyferi, i cili u arrestua nga policia për përkrahje të autorit të krimit. Shakaj i ka kërkuar Zyferit që të fikë kamerat e sigurisë.
Më pas, Koçi dhe Shakaj janë ngjitur në një ambient pranë Fast Food-it, që më parë kishte shërbyer si Call Center. Në këtë ambient, policia ka gjetur njolla gjaku dhe pamje filmike që dyshohet të tregojnë Shakajn duke futur trupin e Koçit në bagazhin e makinës së tij, duke e transportuar në rrethinat e Tiranës.
Një natë më pas...
Rreth orës 00:30 të 5 qershorit, Shakaj dyshohet se ka marrë motorin e Koçit dhe e ka lënë pranë nënstacionit elektrik në Tiranë, për të krijuar një alibi për zhdukjen. Më pas, ai është kthyer në këmbë drejt Bulevardit të Ri dhe më pas në banesën e tij.
Megjithatë, trupi i Eglant Koçit nuk është gjetur ende, dhe policia nuk mund të konfirmojë vdekjen e tij. Policia po vijon kërkimet për gjetjen e Eglant Koçit, si dhe po punohet për kapjen e Armand Shakajt.
Ekspertët kanë ushtruar kontrolle të rrepta në ambientin ku i riu dyshohet se ka hyrë për herë të fundit, si dhe në disa lokacione të tjera, por deri më tani ai nuk është gjetur. Janë ushtruar kontrolle në disa zona të Tiranës, por edhe në Elbasan e në disa male./ZËRI