TIRANË- Gjykata e Lartë ka rikthyer për rigjykim në Apelin e GJKKO-së çështjen për tenderin 28 milionë euro të uniformave të Policisë së Shtetit. Bëhet fjalë për tenderin për blerjen e uniformave të Policisë së Shtetit, me vlerë 28 milionë lekë të reja, ose 2.8 miliardë lekë.
Të pandehur në këtë dosje janë: Edlira Naqellari, Flutura Çekrezi, Anisa Bogdani, Ani Omuri, Aurora Mulla, Kleivis Hasani, Kreshnik Bejkaj, Gëzim Mingaj, Fatmir Demneri dhe Mariglen Buzali. Këta persona sipas SPAK, përmes ndryshimit të kushteve dhe kritereve të tenderit, kanë favorizuar një prej kompanive garuese.
Në dhjetor 2021, këta persona u fajësuan nga Gjykata e Posaçme për “shkelje të barazisë në tendera” dhe “shpërdorim detyre”, vendim që u la në fuqi nga Apeli në shtator 2022.
Sipas hetimeve, tenderi duhet të ishte i ndarë në tre pjesë të ndryshme, duke filluar më uniformat, këpucët dhe shpërndarja.
Për këtë rast në mars të vitit 2020 ish deputetët Myslim Murrizi dhe Halit Valteri kanë deponuar një kallëzim në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) tenderin e Ministrisë së Brendshme për uniformat e policisë. Në akuzën e bërë nga ish-deputeti Murrizi asokohe, thuhej se në tenderin për uniformat e policisë janë reduktuar rreth 239 mijë artikuj, ndërkohë që vlera e tenderit nuk ka ndryshuar. Ky tender u pa si i dyshimtë për disa arsye, ku një prej tyre ishte se në kundërshtim me ligjin e prokurorimeve, afati i garës u shkurtua nga 52 në 24 ditë. SPAK ka arritur të verifikojë se uniformat e blera, ku çmimi për një kapele të tenderuar ishte 350 euro, nuk ishin në cilësinë e duhur dhe nuk justifikojnë të dhënat e tenderit./ZËRI