TIRANË-Mjeku i njohur pediatër, Edi Tushe, një prej figurave më të respektuara të mjekësisë shqiptare dhe një nga pionierët e shërbimit neonatologjik në vend është ndarë nga jeta mbrëmjen e të hënës (15 qershor). Lajmi i ndarjes së tij nga jeta është bërë publik në faqen e klinikës që ai drejtonte. Përmes një mesazhi prekës Dr. Edi Tushe është kujtuar si një njeri të rrallë, një mik të dashur dhe një profesionist të jashtëzakonshëm që ia kushtoi jetën kujdesit për fëmijët.
"Ka ikje që të lënë pa frymë. Ka humbje që nuk pranohen dot. Dhe ka njerëz që janë aq të mirë, aq të dashur, aq të pazëvendësueshëm, sa duket e padrejtë që Zoti t’i thërrasë kaq heret pranë vetes. Edi ishte njëri prej tyre.
Nuk po qaj vetëm një koleg. Nuk po qaj vetëm një mjek të shkëlqyer. Po qaj një mik të shtrenjtë, një njeri të rrallë, një shpirt të bukur që e bënte botën më të mirë vetëm me praninë e tij. Sa herë e shihja në klinikë, më dukej sikur gjithçka bëhej më e lehtë. Kishte atë qetësinë e njerëzve të mirë, atë buzëqeshjen e butë që të jepte siguri, atë mirësinë që nuk kishte nevojë të fliste me zë të lartë për t’u ndjerë. Sot tavolina e tij mbeti bosh. Stetoskopi heshti. Dera nuk do të hapet më për të pritur fëmijët që e donin aq shumë”, thuhet në njoftim.
Edi Tushe ia kushtoi jetën kujdesit për shëndetin e fëmijëve, duke lënë pas një kontribut të vyer në fushën e pediatrisë dhe duke fituar respektin e kolegëve, pacientëve dhe familjeve të panumërta që gjetën tek ai profesionalizëm, përkushtim dhe humanizëm. Në 2025 pediatri i njohur ndau me publikun detajin e trishtë që nuk komunikonte me të birin prej 22 vitesh./ZËRI