TIRANË- Sot në Tiranë do të mbahet koncerti i artistit ndërkombëtar Kanye ëest, i cili do të zhvillohet në zonën e Kasharit, në "Eagle Stadium".
Në kuadër të këtij akitiviteti, Policia e Tiranës ka nisur zbatimin e masave për menaxhimin e trafikut dhe garantimin e mbarëvajtjes së eventit. Kufizimet e qarkullimit të automjeteve kanë nisur prej orës 07:00 të mëngjesit dhe prekin zonën përreth stadiumit, në kilometrin e parë të autostradës Tiranë–Durrës.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë u bën thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes gjatë lëvizjes në këtë zonë dhe të ndjekin udhëzimet e punonjësve të policisë për të shmangur bllokimet dhe vonesat në qarkullim.
Në njoftimin zyrtar, Policia njoftoi se kufizimi nis në orën 07:00 deri në orën 24:00 të mbrëmjes së sotme.
Rrugët që janë të bllokuara prej orës 07:00:
-Nga ora 07:00 deri në orën 24:00, do të ndalohet qarkullimi në aksin dytësor të autostradës “Durrës–Tiranë”, nga “Eiffeli” deri te “Casa Italia”. Sqarojmë se ky segment do të funksionojë vetëm me sens daljeje, për subjektet;
-Nga ora 07:00 deri në orën 24:00, do të ndalohet qarkullimi në korsinë e daljes së autostradës “Durrës–Tiranë”, në rrethrrotullimin e “Casa Italia-s”;
-Nga ora 12:00 deri në orën 24:00, do të ndalohet qarkullimi në segmentin “”Casa Italia” – rruga “Pavarësia” – rruga “Sokrat Miho””;
-Nga ora 12:00 deri në orën 24:00, do të ndalohet qarkullimi në segmentin “Rruga “Sokrat Miho” – rruga “Kasem Shima” – rruga “7 Nëntori””, i cili do të funksionojë vetëm me sens daljeje.
Gjithashtu, nga ura e Institutit deri tek “Casa Italia” mund të ketë bllokime të pjesshme të qarkullimit të automjeteve, në varësi të fluksit të pjesëmarrësve, me qëllim menaxhimin e trafikut dhe garantimin e zhvillimit normal të aktivitetit.
Gjatë intervaleve të mësipërme, akses në zonat e kufizuara do të kenë vetëm mjetet e Emergjencës dhe mjetet e Policisë së Shtetit./ZËRI