
TIRANË– Qytetarët janë mbledhur edhe këtë të premte në protestën e 41-të kombëtare kundër qeverisë, duke vijuar mobilizimin e nisur prej më shumë se një muaji. Kërkesat kryesore të protestuesve mbeten dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshimi i klasës së vjetër politike.
Ashtu si në protestat e mëparshme, pjesëmarrësit janë grumbulluar fillimisht në Sheshin “Skënderbej”, për të marshuar më pas drejt godinës së Kryeministrisë, ku do të zhvillohet tubimi kryesor.
Sipas organizatorëve, kjo konsiderohet protesta më e madhe, më jetëgjatë dhe më e qëndrueshme e zhvilluar në Shqipëri që pas rënies së regjimit komunist. Ata kanë bërë të ditur se protestat do të vijojnë edhe në javët në vijim, derisa të plotësohen kërkesat e parashtruara.
Pesë kërkesat që kanë parashtruar qytetarët:
1. Dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit dhe të qeverisë.
2. Krijimin e një qeverie teknike tranzitore, jopartiake dhe me mandat 12-mujor.
3. Ndryshime kushtetuese, ku të gjithë shtetasit shqiptarë të jenë të barabartë para ligjit, si dhe miratimin e tyre me referendum popullor, duke përfshirë ndër të tjera: ndryshimin e Kodit Zgjedhor, ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave të ndryshme, kufizimin e ushtrimit të detyrës së kryeministrit në jo më shumë se dy mandate, të plota ose të pjesshme, gjatë gjithë jetës politike të një individi.
4. Paralelisht kërkohet anulimi i ndryshimeve të bëra në ligjin për zonat e mbrojtura, anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për trashëgiminë kulturore, shfuqizimin e Paketës së Maleve, si dhe shfuqizimin e statusit dhe të kuadrit ligjor për investimet strategjike.
5. Kërkohet një kontratë të re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, e cila do të përpilohet pas konsultimit me intelektualë, ekspertë teknikë dhe qytetarë apartiakë, të propozuar nga sheshi i protestës./ZËRI