TIRANË-Me ftesë të kryeministrit Edi Rama sot ishte parashikuar të mbahej një tryezë konsultimi mbi pagat e magjistratëve, ku të pranishëm do të ishin drejtues të institucioneve të drejtësisë. Por ftesa e kreut të qeverisë është refuzuar nga Gjykata e Lartë dhe dy shoqata të gjyqtarëve. Sipas tyre për sa kohë ligji i ri është ankimuar në Gjykatën Kushtetuese, diskutimi për formulën e pagave duhet të presë vendimmarrjen e saj.
Pas refuzimit Kryeministria ka anuluar tryezën e konsultimit për pagat e magjistratëve. Në njoftimin zyrtar bëhet e ditur se Kryeministria mbetet e hapur për vijimin e dialogut dhe dakordësimin e një date tjetër për zhvillimin e takimin. Kryeministria lë të hapur mundësinë për zhvillimin e takimit në një datë tjetër, ndërsa thekson se puna për hartimin e ligjit të ri për pagat do të nisë nga nesër.
Kryeministria-magjistratëve:
Duke ju falënderuar për komunikimin dhe sqarimet e përcjella lidhur me kërkesën për shtyrjen e takimit të sotëm, mirëkuptojmë këtë kërkesë, ndonëse vlerësojmë se dialogu dhe bashkëpunimi ndërinstitucional ndërmjet aktorëve të ndryshëm të sistemit të drejtësisë mbetet i rëndësishëm dhe, në parim, i pavarur nga procese të tjera që mund të zhvillohen paralelisht.
Në çdo rast, mbetemi të hapur për vijimin e dialogut dhe për dakordësimin e një date tjetër për zhvillimin e takimit. Dëshirojmë t’ju bëjmë me dije se duke filluar nga dita e nesërme, do të vijojmë punën për hartimin e ligjit të ri mbi pagat, mbi të cilin ishte përgatitur edhe një parashtresë i përgjithshëm, me synimin për ta shtruar si pjesë të diskutimit dhe dialogut të përbashkët gjatë takimit. Duke ju falënderuar për bashkëpunimin, mbetemi në pritje të dakordësimit për një datë të përshtatshme për vijimin e dialogut.
Refuzimi i gjyqtarëve për diskutimet në tyrezë:
Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, i është përgjigjur kryeministrisë duke rikujtuar qëndrimin e mbajtur prej tij në Mbledhjen e Përgjithshme të Gjyqtarëve. Sipas Sadushit, zhvillimi i ri institucional lidhet drejtpërdrejt me objektin e tryezës, pasi ligji i ri për pagat e magjistratëve i është nënshtruar kontrollit të Gjykatës Kushtetuese.
“Besoj te dialogu ndërmjet pushteteve dhe mbetem i hapur ndaj tij. Megjithatë, pas ftesës së datës 18 shtator ka ndodhur një zhvillim institucional që nuk ekzistonte në atë moment dhe që lidhet drejtpërdrejt me objektin e tryezës. Ligji i ri për pagat i është nënshtruar kontrollit të Gjykatës Kushtetuese. Për një çështje kushtetuese tashmë të shtruar për gjykim, fjala i përket Gjykatës Kushtetuese. Për rrjedhojë, dialogu për këtë objekt mund të jetë substancial dhe efektiv pasi ajo të jetë shprehur. Në këto kushte, pjesëmarrja në një tryezë me të njëjtin objekt, vetëm për të përsëritur qëndrimin institucional të shprehur publikisht, nuk do t’i shtonte dialogut një përmbajtje të re. Dialogu ka vlerë kur ekziston hapësira institucionale që prej tij të prodhohet diçka më shumë sesa ritheksimi i qëndrimeve të bëra të qarta. Kjo nuk e mbyll hapësirën e dialogut institucional. Sikurse kam theksuar, drejtësia ka nevojë për një tryezë me një dimension më të gjerë, kushtuar funksionimit dhe konsolidimit të sistemit dhe problemeve që ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë dhe kohën e dhënies së drejtësisë,"-shprehet Sokol Sadushi.
Të njëjtin qëndrim mban edhe Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë.
“Deri në një vendimmarrje të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me padinë e paraqitur nga shoqatat e magjistratëve, është e pamundur për ne pjesëmarrja në tryezën e konsultimit të datës 28 shtator 2026”, thuhet në përgjigje.
Edhe Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve ka vendosur të mos marrë pjesë. Ajo vlerëson se fillimisht Kushtetuesja duhet të qartësojë standardet mbi pagat dhe vetëm më pas mund të zhvillohet një diskutim me qeverinë për mekanizmin e ri.
“Shoqata vlerëson se nuk do të ishte e përshtatshme pjesëmarrja e saj në një diskutim institucional mbi të njëjtën çështje përpara përfundimit të këtij procesi”,-thotë Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve.
Rama u dërgoi ftesë institucioneve të drejtësisë për një takim për çështjen e pagave të magjistratëve, më 28 shtator, në orën 12:00, në Kryeministri. Në letrën drejtuar institucioneve të drejtësisë, theksohet se nëpërmjet këtij procesi synohet të arrihet një qasje e përbashkët institucionale për mekanizmin e pagave në sistemin e drejtësisë. Por nga ana tjetër, shoqatat e gjyqtarëve dorëzuan një padi në Gjykatën Kushtetuese për ligjin e ri që miratoi Kuvendi i Shqipërisë lidhur me pagat e magjistratëve.
Sipas kërkesës së depozituar, shoqatat kërkojnë pezullimin e zbatimit të ligjit deri në marrjen e vendimit përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese. Kuvendi miratoi më 18 shtator, me 84 vota pro, formulën e re të pagave të magjistratëve që përcakton se paga referuese e magjistratëve do të jetë sa 38% e pagës së Presidentit të Republikës nga 36% që ishte, me një rritje prej rreth 8500 lekësh./ZËRI

