TIRANË- Kryeministri Edi Rama u ka dërguar ftesë institucioneve të drejtësisë për një takim për çështjen e pagave të magjistratëve. Takimi pritet të zhvillohet më 28 shtator, në orën 12:00, në Kryeministri.
Diskutimi, sipas ftesës drejtuar institucioneve, do të fokusohet te parimet, kriteret dhe instrumentet që duhet të udhëheqin politikën e pagave, duke pasur në konsideratë qëndrueshmërinë buxhetore, koherencën ndërinstitucionale dhe proporcionalitetin mes funksioneve dhe përgjegjësive.
“Diskutimi do të përqendrohet në identifikimin e parimeve, kritereve dhe instrumenteve që duhet të udhëheqin metodën e pagave, duke garantuar njëkohësisht qëndrueshmërinë buxhetore, koherencën ndërinstitucionale, proporcionalitetin ndërmjet funksioneve dhe përgjegjësive”, thuhet në letër.
Në letër theksohet se nëpërmjet këtij procesi synohet të arrihet një qasje e përbashkët institucionale për mekanizmin e pagave në sistemin e drejtësisë.
“Nëpërmjet këtij procesi konsultimi synohet të arrihet një qasje e përbashkët institucionale për një mekanizëm pagash që kontribuon në konsolidimin e pavarësisë, integritetin dhe profesionalizimin të sistemit të drejtësisë, duke siguruar rregulla të qarta dhe objektive për përcaktimin dhe rishikimin periodik të tyre”, vijon letra.
Ftesa u është dërguar:
Këshillit të Lartë Gjyqësor
Këshillit të Lartë të Prokurorisë
Gjykatës së Lartë
Prokurorisë së Përgjithshme
Gjykatës së Posaçme të Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar
Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar
Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar
Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm
Gjykatës Administrative të Apelit
Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm
Gjykatave Administrative të Shkallës së Parë
Gjykatave të Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm
Prokurorive pranë Gjykatave të Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm
Forumit të Grave Gjyqtare Shqiptare
Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë
Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë
Shoqatës së Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë
Kryeministri Edi Rama i ftoi publikisht magjistratët në një tryezë të përbashkët, një ditë pas miratimit në parlament te p/ligjit për pagat e magjistratëve. Kuvendi miratoi në mesnatë me 84 vota projektligjin e PS-së për pagat e magjistratëve, që parashikon rritjen e pagës referuese me rreth 8,500 lekë. Qeveria ka përllogaritur edhe 1.5 miliardë lekë detyrime të prapambetura nga prilli 2023, të cilat do të shlyhen me këste brenda dy viteve. Menjëherë pas miratimit në Kuvend, ligji u dekretua nga presidenti Bajram Begaj./ZËRI


