TIRANË-Kuvendi miratoi me 84 vota pro projektligjin e PS-së për pagat e magjistratëve, që parashikon rritjen e pagës referuese me rreth 8,500 lekë. Kryeministri Edi Rama votoi pro, kryedemokrati Sali Berisha mungoi, ndërsa deputetët e PD votuan kundër. KLGJ dhe KLP kishin kërkuar një rritje prej rreth 80 mijë lekësh. Ndërkohë qeveria ka përllogaritur edhe 1.5 miliardë lekë detyrime të prapambetura nga prilli 2023, të cilat do të shlyhen me këste brenda dy viteve.
Rama tha se rritja e pagave të magjistratëve pas reformës në drejtësi ka krijuar një raport të pabalancuar me pagat e tjera në administratën publike. Ai kundërshtoi gjithashtu kërkesën që pagat e magjistratëve të rriten automatikisht sa herë rriten pagat e punonjësve të tjerë. Kreu i qeverisë njoftoi se ka nisur punën për hartimin e një ligji të ri për ribalancimin e piramidës së pagave.
Edi Rama: Ne kemi filluar kontaktet me Këshillin e Europës, me atë Komisionin Europian për Eficiencën e Drejtësisë. Dhe unë i kam pritur të gjithë këta që i kishit ju në komisionin përkatës, sepse kërkuan takim dhe ne e organizuam takimin. E organizuam takimin sipas dëshirës dhe kushteve të tyre, në kuptimin për t’u dhënë të gjithë mundësinë që të flasin, të flasim dhe për t’u thënë që këtu ka një problem, të cilin do ta adresojmë së bashku. Ne nuk mund të shkojmë në një konflikt pushtetesh dhe ne jemi të gatshëm, jo të gatshëm, por jemi tërësisht të angazhuar që të bëjmë një ligj të ri. Ka një sërë mënyrash për ta bërë, por kjo historia që sa herë rritet një pagë në Republikë, duhet rritur një pagë atje, duhet të marrë fund. Kjo është absurde.
Në fjalën e tij kryeministri Edi Rama e cilësoi “lajthitje” kërkesën që pagat e magjistratëve të rriten sa herë rriten pagat e tjera. Duke folur për debatin e gjerë mbi pagat në drejtësi, Rama theksoi se askush nuk mund t’i vendosë afate Kuvendit.
Edi Rama: Gjykata Kushtetuese është arbitri. Ajo mund ta ndalojë lojën, mund të konstatojë shkeljen, mund ta anulojë golin, por nuk mund ta marrë topin dhe të thotë: ‘Topi është imi. Penalltinë do ta gjuaj unë. Të thuash që në atë datë lindi befas një pushtet tjetër, i cili përcaktoi atë që në fakt mund ta përcaktojë vetëm ligji, dhe nga ana tjetër të shohësh një ndërveprim shoqatash me trupën gjyqësore të Shqipërisë, të shohësh lëvizje të koordinuara, të shohësh këtë organizim është jashtëzakonisht shqetësuese. Të gjitha zhvillimet në këtë drejtim janë zhvillime që e dëmtojnë Republikën e Shqipërisë, nuk janë zhvillime që e ndihmojnë.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, në orët e vona, Rama e cilësoi SPAK-un dhe GJKKO-në si dy suksese të reformës në drejtësi, ndërsa tha se KLP dhe KLGJ kanë falimentuar.
Edi Rama: Nëse reforma në drejtësi ka shumë arsye për të qenë të inkurajuar, dhe për t’ju sqaruar të gjithëve, nga ana ime unë dy suksese shoh në reformën në drejtësi: SPAK-un dhe GJKKO-në, me të gjitha problematikat që kanë. Dy suksese. Por, nëse ka një faliment, janë ato dy këshilla atje. Dhe nëse ka një arsye për t’u shqetësuar Kuvendi i Shqipërisë, është pikërisht të reflektojë mbi reformën në drejtësi. Dhe jo mbi atë pjesë të reformës që është bërë lajtmotivi kryesor përditë e përditë: ‘Burg, burg, burg, burg, burg!’, por mbi atë pjesë të reformës që është lajtmotivi i jetës së atyre dhjetëra mijëra njerëzve që janë kthyer në dosje të mbuluara me pluhur.