TIRANË- Ndryshimet e propozuara për pagat e magjistratëve janë prezantuar në Kuvend nga deputetja e PS-së Aulona Bylykbashi. Sipas saj skema e re parashikon rritjen e koeficientit nga 0.36 në 0.38 të pagës së Presidentit.
Bylykbashi ka bërë të ditur se formula e re është hartuar duke marrë në konsideratë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa zbatimi i saj nuk do të krijojë një barrë të papërballueshme për buxhetin e shtetit.
Në projektligj është parashikuar edhe shlyerja e detyrimeve të prapambetura për periudhën nga prilli i vitit 2023 deri në korrik të vitit 2026. Sipas propozimit këto detyrime do të paguhen në mënyrë graduale brenda dy viteve nga hyrja në fuqi e ligjit.
“Koeficienti 0.38 është rezultat i një vlerësimi të balancuar. Ai korrigjon efektin e ngrirjes së konstatuar nga gjykata, siguron një trajtim financiar në përputhje me rëndësinë dhe kufizimet e funksionit dhe, në të njëjtën kohë, ruan përballueshmërinë e detyrimit për financat publike”, tha Aulona Bylykbashi.
Sipas Bylykbashit efektet financiare të formulës do të njihen duke nisur nga 1 prilli 2023, ndërsa detyrimet e krijuara deri më 31 korrik 2026 do të shlyhen gradualisht.
“Efektet financiare të formulës do të njihen nga data 1 prill 2023. Detyrimet që krijohen për periudhën nga 1 prilli 2023 deri në 31 korrik të vitit 2026 do të mund të shlyhen gradualisht, por jo më vonë sesa dy vjet nga hyrja në fuqi e këtij ligji”, përfundoi ajo./ZËRI