Politikë

Pas vendimit të Hagës, Kurti takon Hamzën: Apeli duhet ta ndryshojë aktgjykimin

Takimi mes kreut të ekzekutivit dhe liderit të opozitës u zhvillua në Prishtinë, pas shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.

M.K.

Pas vendimit të Hagës, Kurti takon Hamzën: Apeli duhet ta

KOSOVË- Vendimi i Gjykatës Speciale në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit ka qenë në qendër të një takimi mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës Bedri Hamza.

Takimi mes kreut të ekzekutivit dhe liderit të opozitës u zhvillua në Prishtinë, pas shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, gjatë bisedës u diskutua për hapat që mund të ndërmerren në vijim të procesit gjyqësor si në aspektin ligjor ashtu edhe në atë institucional e gjeopolitik.

Kurti e ka cilësuar aktgjykimin si të padrejtë dhe me pasoja të gjera duke theksuar se qëndrimi i institucioneve të Kosovës është që vendimi të ndryshohet në shkallën e Apelit.

Në takim është diskutuar gjithashtu për koordinimin institucional lidhur me atë që qeveria e konsideron si mbrojtje të trashëgimisë së luftës. Kurti dhe Hamza kanë rënë dakord të vijojnë komunikimin për çështjet që lidhen me interesin publik dhe shtetëror.

Në deklaratën zyrtare të Qeverisë së Kosovës rikthehet edhe qëndrimi për luftën e UÇK-së, e cila përshkruhet si përgjigje e organizuar ndaj regjimit të atëhershëm jugosllav të Serbisë nën udhëheqjen e Slobodan Millosheviqit.

Qeveria e Kosovës thekson se krimet e kryera gjatë asaj periudhe janë të dokumentuara dhe përmend represionin, mohimin e të drejtave themelore, spastrimin etnik dhe gjenocidin.

Në këtë kuadër, takimi Kurti-Hamza vjen në një moment kur procesi ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë pritet të vijojë në shkallët e tjera të procedurës./ZËRI

Poll

MOS HUMB