TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka prezantuar sot reformën e re të administratës publike të quajtuar "Shkalla e Meritës", e cila përmban tre shtylla kryesore. Përmes shkallës së meritës do të vlerësohet hyrja në administratëve përmes testimit, përparimi në karrierë dhe përgjegjshmëria në drejtimin e institucionit.
"Së pari, hyrja në administratë përmes testimit kombëtar për dëshmi të njohurive. Ky testim do të bëhet në bashkëpunim me Qendrën e Shërbimeve Arsimore, e cila po adopton modelin e provimeve të Kembrixhit. Ata që e kalojnë me sukses pajisen me certifikatë për katër vite dhe vazhdojnë konkurrimin. Së dyti, përparimi gjatë karrierës. Ka shumë ankesa për meritokracinë, por nuk duhet të jetë vetëm kërkesa që shteti u bën nëpunësve, por edhe garancia që shteti u jep atyre, duke afirmuar se merita njihet. Së treti, përgjegjshmëria për drejtimin e institucioneve", tha Rama.
Duke treguar për mënyrën e funksionimit, Rama u ndal edhe tek procesi i vlerësimit të drejtuesve dhe dorëheqjet e disa prej tyre nga postet që mbanin pak ditë më parë. Sipas Ramës, largimet janë një masë që lidhet me rezultatet në punë dhe jo një garë për zëvendësim emrash.
"Dhjetë ditë më parë, qindra drejtues iu nënshtruan një procesi vlerësimi të rezultateve në punë. Nuk është garë për të parë sa drejtues largohen apo për të ndryshuar emra, hiq Colin dhe sill Lolin. Është kërkesë për të parë ku ka çaluar puna dhe ku ka prodhuar më keq rezultate për shtetin. Aty ku problemet përsëriten duhet të ketë pasoja, pa cenuar kapacitetet dhe procesin e negociatave me BE-në", theksoi kryeministri Rama.
Më shumë se një javë më parë, kryeministri Edi Rama urdhëroi dorëheqjen dhe largimin e disa drejtuesve të institucioneve në varësi të qeverisë, pas procesit të vlerësimit të performancës së tyre në detyrë./ZËRI