TIRANË- Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) ka miratuar sot kërkesën e komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, për gjobitjen e subjekteve politike. Përmes një shkrese dorëzuar sot në KAS, Celibashi kërkoi vendosjen e sanksioneve administrative ndaj disa partive politike që morën pjesë në zgjedhjet për Kuvendin më 11 maj 2025.
Në kërkesën që mban datën 3 tetor, theksohet se janë konstatuar shkelje të legjislacionit zgjedhor dhe detyrimeve për transparencë pas kontrollit dhe auditimit të raporteve financiare mbi fondet e përfituara dhe shpenzimet e kryera gjatë fushatës zgjedhore. Në kërkesën e Celibashit, evidentohen shelje që përfshijnë vonesa në dorëzimin e raporteve, mosdorëzim raportesh nga kandidatët e listave shumëemërore, mosdeklarim të transaksioneve bankare, si dhe mospërputhje apo gabime aritmetike e kontabël.
Ndërkohë, vlera totale e gjobave të propozuara arrijnë shifrën 7.5 milionë lekë, të ndara për subjektet të ndryshme, sipas gjetjeve të shkeljeve. Rezulton se gjobat më të larta, nga 2 milionë lekë secila, janë vendosur për Partinë Rruga e Vërtetë Shqiptare dhe Partinë Aleanca Arbnore Kombëtare, për mosdorëzim të raportit financiar.
Masat dhe gjobat e propozuara:
Gjobë në masën 2,000,000 lekë (për mosedorëzim të raportit financiar):
Partia Rruga e Vërtetë Shqiptare
Partia Aleanca Arbnore Kombëtare
Gjobë në masën 500,000 lekë:
Partia Bashkimi Liberal Demokrat
Partia Aleanca Demokracia e Re
Partia Aleanca Konservatore për Shqipërinë
Partia Kristian Demokrate
Partia Lëvizja Atdheu
Partia Aleanca Kombëtare Shqiptare
Gjobë në masën 100,000 lekë:
Partia Balli Kombëtar
Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut
Partia Djathtas 1912
Partia Socialdemokrate
Partia Nisma Thurje/ZËRI