Politikë

Pagat e gjyqtarëve u rritën sa 2% e rrogës së tij, presidenti Begaj dekreton ligjin e ri të miratuar me votat e PS

Në njoftim argumentohet se dekretimi me urgjencë i pagave të reja në Drejtësi, justifikohet nga urgjenca e rrethanave dhe nevojave rreth kësaj çështje.

F.I
Pagat e gjyqtarëve u rritën sa 2% e rrogës së tij,
Bajram Begaj

TIRANË-Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar ligjin për pagat e magjistratëve, që u miratua në orët e para të mëngjesit me votat e PS-së në Parlament. Në njoftim argumentohet se dekretimi me urgjencë i pagave të reja në Drejtësi, justifikohet nga urgjenca e rrethanave dhe nevojave rreth kësaj çështje.

NJOFTIMI:

Presidenti i Republikës nxorri sot dekretin për shpalljen e ligjit nr. 95/2026, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar”, pasi kishte dhënë më parë pëlqimin për hyrjen në fuqi të tij menjëherë.

Presidenti i Republikës dha pëlqimin për hyrjen në fuqi të ligjit menjëherë bazuar në kërkesën e Kuvendit, i cili argumentonte nevojën dhe urgjencën për hyrjen në fuqi menjëherë me faktin se shfuqizimi i dispozitave për pagat e magjistratëve nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese kishte bllokuar dhënien e pagave për të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët, që nga data 1 gusht 2026 e në vazhdim.

Pa hyrjen në fuqi të ligjit të ri, Thesari i Shtetit nuk mund të çlirojë pagesat për magjistratët.

Qëllimi i Kuvendit ishte që të mundësonte pagesat e Thesarit të Shtetit për gjyqtarët dhe prokurorët që në datën 18 shtator 2026 për pagat e bllokuara që nga data 1 gusht 2026 dhe për ato vijuese. Hyrja në fuqi e ligjit sipas procedurave të zakonshme do ta vononte këtë proces nga 15 deri në 35 ditë. Dhënia e pëlqimit nga Presidenti i Republikës për hyrjen e ligjit në fuqi menjëherë është prerogativë dhe instrument kushtetues, i cili justifikohet nga nevoja dhe urgjenca e rrethanave të rastit.

Argumentet dhe kundërargumentet kushtetuese lidhur me masën e pagës mund të debatohen edhe në instanca të tjera kompetente, por zhbllokimi në rrugë të ligjshme i vetë pagës mund të bëhet vetëm duke futur në fuqi ligjin e ri.
Hyrja e ligjit në fuqi menjëherë kërkon që Presidenti i Republikës të veprojë menjëherë.

Për Presidentin e Republikës, dhënia e pëlqimit në këtë rast i shërben mbrojtjes së një nevoje akute, me lidhje të drejpërdrejtë me parimin e pavarësisë së gjyqësorit, që është garantimi i standardit të jetesës dhe i qëndrueshmërisë së të ardhurave për të gjithë magjistratët e vendit.

Kuvendi miratoi me 84 vota pro projektligjin e PS-së për pagat e magjistratëve, që parashikon rritjen e pagës referuese me rreth 8,500 lekë. Kryeministri Edi Rama votoi pro, kryedemokrati Sali Berisha mungoi, ndërsa deputetët e PD votuan kundër. KLGJ dhe KLP kishin kërkuar një rritje prej rreth 80 mijë lekësh. Ndërkohë qeveria ka përllogaritur edhe 1.5 miliardë lekë detyrime të prapambetura nga prilli 2023, të cilat do të shlyhen me këste brenda dy viteve./ZËRI

Poll

MOS HUMB