TIRANË-Pas miratimit në Kuvend pas mesnate të draftit të PS për pagat e magjistratëve, që parashikon rritjen e pagës referuese me rreth 8,500 lekë, kryeministri Edi Rama u ka bërë ftesë përfaqësuesve të pushtetit gjyqësor që të marrin pjesë në një tryezë të përbashkët diskutimi.
Me anë të një postimi në platformën X, Rama njofton se në fokus të diskutimit do të jetë ligji i ri për piramidën e pagave në drejtësi, të cilin e paralajmëroi në Kuvend gjatë seancës plenare. Kreu i qeverisë nga Parlamenti njoftoi se qeveria ka nisur punën për hartimin e një ligji të ri për ribalancimin e piramidës së pagave, për të cilin kanë filluar edhe kontaktet me Këshillin e Europës dhe Komisionin Europian për Eficiencën e Drejtësisë.
Rama tha se pret që drejtuesit e dy këshillave të drejtësisë dhe institucionet e tjera të gjyqësorit t’i përgjigjen pozitivisht ftesës, me synim adresimin e çështjes së sistemit të pagave të magjistratëve.
Edi Rama: Unë besoj se përfaqësuesit e gjyqësorit, duke filluar nga drejtuesit e dy këshillave dhe nga ana tjetër drejtuesit e institucioneve gjyqësore, do t'i përgjigjen pozitivisht ftesës për t'u ulur së bashku në një tryezë pune pa vonesë, me qëllim që të adresohet çështja e sistemit të pagave të magjistratëve në funksion të një zgjidhjeje të qëndrueshme afatgjatë, e cila i garanton ata përgjithmonë, duke siguruar njëkohësisht ekuilibrin e përgjithshëm të piramidës shtetërore të pagave. Tryeza jonë do të mirëpresë gjithashtu pjesëmarrjen e ekspertëve nga Këshilli i Evropës, si dhe kontributin e Komisionit Evropian për Efikasitetin e Drejtësisë. Magjistratët e Shqipërisë nuk duhet të harrojnë se niveli i tyre i pavarësisë deri më tani i paimagjinueshëm dhe trajtimi i tyre me pagat më të larta në Republikën e Shqipërisë dhe ndër më të lartat në rajon nuk kanë rënë nga qielli, por mbajnë vulën e vullnetit të kësaj shumice qeverisëse, e cila nuk kërkon konflikt me gjyqësorin, por bashkëpunim institucional, në respekt të pavarësisë së ndërsjellë. Dhe nëse kemi mosmarrëveshje, na takon neve t'i adresojmë ato me mençuri dhe durim, duke dhënë një shembull dinjiteti shtetëror për qytetarët tanë dhe në të njëjtën kohë për partnerët e Shqipërisë.
Kuvendi i Shqipërisë miratoi në mesnatë me 84 vota projektligjin e PS-së për pagat e magjistratëve, që parashikon rritjen e pagës referuese me rreth 8,500 lekë. Qeveria ka përllogaritur edhe 1.5 miliardë lekë detyrime të prapambetura nga prilli 2023, të cilat do të shlyhen me këste brenda dy viteve.