TIRANË- Ilir Panda ka shpallur kandidaturën për drejtimin e Gjykatës së Lartë. Panda ka dorëzuar dokumentet këtë të premte, në ditën e fundit të afatit të përcaktuar për kandidimet. Krahas kërkesës me shkrim, kandidatët duhet të paraqesin edhe platformën e tyre për mënyrën se si synojnë të drejtojnë Gjykatën e Lartë.
Pas përfundimit të afatit të aplikimeve, brenda tre ditëve do të caktohen data dhe ora e Mbledhjës së Përgjithshme të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, e cila duhet të zhvillohet të paktën dy javë përpara përfundimit të mandatit të kryetarit aktual. Zgjedhja e drejtuesit të ri bëhet përmes votimit të fshehtë. Procesi i votimit është i hapur për publikun, ndërsa rezultati shpallet menjëherë pas përfundimit të votimit.
Gara për kryetarin e Gjykatës së Lartë u hap në mesin e muajit gusht, pasi mandati trevjeçar i Sokol Sadushit përfundon më 17 tetor. Kryetari i ri pritet të marrë detyrën më 18 tetor 2026, një ditë pas përfundimit të mandatit të Sadushit, duke shmangur kështu çdo vakum në drejtimin e institucionit.
Kush është Ilir Panda?
Ilir Panda është pjesë e Gjykatës së Lartë prej 11 marsit 2020. Panda është diplomuar jurist në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës,në vitin 1986, si dhe ka kryer disa kualifikime pasuniversitare të organizuara nga institucione shqiptare, evropiane dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Mban gradën shkencore “Doktor”.
Panda ka punuar në disa sektorë të drejtësisë, duke filluar në organet e ndjekjes penale, në Drejtorinë e Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë, si avokat, si pedagog në Shkollën e Magjistraturës dhe në institucione të tjera të arsimit të lartë. Ka qenë ministër i drejtësisë, në vitet 1999-2000 dhe Zëvendëskryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në vitet 2003-2007.
Ai ka marrë pjesë si autor në shumë grupe pune për hartimin dhe rishikimin e legjislacionit, për hartimin e komentarëve, manualeve, buletineve, si dhe në projekte të rëndësishme në fushën e të drejtës. Është autor i shumë artikujve në fushën e të drejtës në disa revista shkencore dhe profesionale, si dhe i përkthimeve të ndryshme.
Gjithashtu, Panda ka qenë Këshilltar Ligjor i Avokatit të Popullit të Republikës së Shqipërisë, ekspert lokal i Unicef, i Këshillit të Evropës dhe i organizatave të tjera. Ka qenë anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë të Shqipërisë, në vitet 2002-2007, anëtar i Këshillit të Akreditimit të Institucioneve të Arsimit të Lartë, anëtar i Këshillit Drejtues të “Intesa Sanpaolo Bank Albania” dhe anëtar i Këshillit të Arbitrazhit Sportiv.
Me dekretin Nr.11454, datë 11 Mars 2020, të Presidentit të Republikës së Shqipërisë është emëruar anëtar i Gjykatës së Lartë./ZËRI