
TIRANË- SPAK nuk ka mundur që të japë sot pretencën për të akuzuarit e dosjes "Sterilizimi". Seanca gjyqësore për sot është shtyrë për shkak se dy avokatët mbrojtës mungonin, ndaj edhe prokurorët e SPAK nuk mundën që të bënin shpalljen e pretencës. Në këto kushte, hetuesit Edvin Kondili dhe Ened Nakuçi kërkuan shtyrjen e seancës me arsyetimin se të gjithë të pranishmit duhet të jenë në sallë për leximin e konkluzioneve përfundimtare.
Seanca e radhës është lënë për datën 25 qershor, në orën 13:00, kur edhe pritet që SPAK të shpallë konkluzionet për të pandehurit që kanë pranuar gjykimin e shkurtuar. Por mes tyre nuk është ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj. Kjo për shkak se ky i fundit zgjodhi që të përballet me një proces të zakonshëm, duke kërkuar administrimin dhe shqyrtimin e plotë të provave dhe fakteve të paraqitura nga Prokuroria e Posaçme.
Për dosjen “Sterilizimi”, të pandehurit Ilir Beqaj, Klodian Rrjepaj dhe Ilir Rrapaj do të përballen në gjyq me akuzën e “vjedhjes duke shpërdoruar detyrën” dhe “grup i strukturuar kriminal”. Beqaj do të gjykohet për akuzën e vjedhjes duke shpërdoruar detyrën në kuadër të grupit të strukturuar kriminal në procedurat e koncesionit dhjetëvjeçar të sterilizimeve kirurgjikale prej 100 milionë eurosh.
Lidhur me dy koncensionet në Shëndetësi, ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj është vënë nën hetim nga SPAK prej më shumë se një viti.
Beqaj është i dyshuar për shpërdorim detyre lidhur me 2 tendera të firmosura, për sterilizimin dhe check up. Këto 2 çështje janë duke u hetuar nga 3 prokurorë. Koncensionin e Sterilizimit po e hetojnë prokurorët Kondilli dhe Nakuçi, ndërsa atë të 'Check up' po e heton prokurorja Elida Kaçkini. SPAK ka përfunduar hetimet për ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj edhe për abuzimin me fondet e Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC), për çështje të cilën ndodhet në burg prej datës 4 korrik 2024./ZËRI