
TIRANË- Komisioni Prokurimit Publik (KPP) është dashur që të ndalojë për herë të dytë tenderin për instalimin e kamerave në doganat e vendit, një procedurë e nisur nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit. Shkaku? AKSHI nuk ka zbatuar vendimin e mëparshëm të datës 27 maj 2025 dhe ndryshimet në dokumentat e tenderit janë sipërfaqësore dhe nuk i përmbushin kërkesat dhe specifikimet teknike.
Tenderi i hapur nga AKSHI synonte instalimin e një sistemi monitorimi me kamera në disa pika doganore, por nga garuesit e tjerë pati akuza për paracaktim të fituesit. Në faqen zyrtare të KPP-së, kompania CSP SHPK, në pronësi të Klevis Xhagollit ka paraqitur një ankesë me gati 25 faqe duke akuzuar AKSHI-n për hartimin e një dokumentacioni që favorizonte pajisjet e një prodhuesi specifik: atë të kompanisë kineze "Uniview" dhe për këtë ka sjellë disa shembuj. Sipas ankesës, edhe pse të njëjtën "punë" mund ta kryenin shumë pajisje të tjera të markave të tjera të njohura, nga specifikimet që ka bërë AKSHI, rezultati që të del është një dhe i vetmi: kompania kineze. Nga analiza që ka bërë vetëm kompania kanë dalë në përfundimin:
-ose grupi i punës ka mangësi të theksuara të formimit profesional dhe vendosin kërkesa dhe certifikime të marra "copy-paste" nga kushedi se kush, pa ditur çfarë kërkon;
-ose grupi i punës qëllimisht ka vendosur kërkesa të ndryshme me synimin dhe qëllimin e përzgjedhjes së një operatori të caktuar, produktet e të cilit plotësojnë këto certifikime. Sido të jetë, në të dy rastet këto veprime bien ndesh me kuadrin ligjor mbi të cilin mbështetet e gjithë kjo procedurë e prokurimit publik. Nëse synon të vendosë një standart të caktuar për të gjithë projektin, atëherë ky standard duhet që të aplikohet mbi të gjithë elementët e këtij projekti dhe jo vetëm në pjesë të caktuara të tij.
*Dokumentin e ankimimit të kompanisë e keni në fund...
Pra, sipas CSP-së, specifikimet teknike për çdo pajisje që duhej blerë ishin bërë vetëm për këtë kompani.
Por kjo kompani nuk është e panjohur! Më 10 dhjetor 2024, "Reuters" ka publikuar lajmin se Shtetet e Bashkuara të Amerikës shtuan dy kompani kineze në një listë kufizimesh tregtare për dyshime se kishin mundësuar shkeljen e të drejtave të njeriut. Departamenti i Tregtisë, i cili mbikëqyr politikën e eksportit bëri me dije se do të sanksionohej "Zhejiang Uniview Technologies Co., Ltd." për arsye sepse kishin mundësuar shkelje të të drejtave të njeriut, duke përfshirë mbikëqyrjen me teknologji të lartë të synuar popullatën e përgjithshme, ujgurët dhe anëtarët e grupeve të tjera minoritare etnike dhe fetare.
(Ujgurët janë popull turkik, që kryesisht jetojnë në Kinë, gjegjësisht në krahinën autonome Singkjang Ujgur, përbëjnë rreth 45 % të popullsisë së saj. Ujgurët kryesisht janë të përkatësisë fetare islame, dhe flasin gjuhën ujgure, e cila i takon grupit të gjuhëve turke, të familjes altaje.)
Por pavarësisht kësaj, tenderi duket se ishte një "kostum" i qepur për ta.
Me ndërhyrjen e kompanisë CSP, KPP më 27 maj 2025 urdhëroi AKSHI-n që të modifikonte specifikimet teknike dhe të eliminonte çdo element që kufizonte konkurrencën. Me të marrë "flamurin e kuq", AKSHI reagoi duke anuluar tenderin dhe e rishpalli procedurën me pretendimin se "vërejtjet" ishin ndrequr. Por jo!
Sipas "Skyweb", menjëherë pas rishpalljes së tenderit, CSP paraqiti një ankesë të dytë, me argumentin se ndryshimet ishin minimale dhe se specifikimet teknike mbeteshin të njëjta në thelb për të favorizuar të njëjtën markë. Por përse? Kush i sjell në Shqipëri produktet e kësaj kompanie? Nga një kërkim i thjeshtë, rezulton se importuesja e tyre në vendin tonë është kompania "AlbaScan", në pronësi të Elton dhe Elision Jorgjis.
"Albascan" u krijua në shkurt të vitit 2017 nga dy ortakë, Sokol Cane dhe Etmira Dashi. Të dy këta aksionerë zotëronin nga 50 për qind të aksioneve. Në janar të vitit 2019, kompania u ble nga Elton dhe Elision Jorgjis për 150 mijë lekë dhe xhiroja nga 19 milionë lekë në vitin 2018, tani kap 110 milionë lekë.
AKTI I DYTË
Në vendimin e datës 9 qershor 2025, KPP vlerëson se AKSHI ka shkelur vendimin e mëparshëm, duke mos bërë unifikimin e kërkuar mes certifikimeve në tabelat teknike dhe dokumentit “TORs”. Komisioneri tregon se kjo mospërputhje sjell paqartësi për operatorët ekonomikë dhe dëmton transparencën e procesit. Si përfundim, kërkon që AKSHI-t të korrigjojë dokumentacionin për herë të dytë. Tashmë, pritet që tenderi të rihapet, por me kushte të tjera për një garë të drejtë mes të gjithë "konkurrentëve".
*Për të marrë edhe komentin e tyre lidhur me procedurat, ZËRI ka kontaktuar si me institucionin e AKSHI-t, edhe me KPP, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë ende një përgjigje./ZËRI