SHKODËR- Safet Bajri ka depozituar një kallëzim penal në Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), duke denoncuar faktin që në emri i tij po keqpërdoret. Në kallëzimin e depozituar prej tij, thekson se disa persona të paidentifikuar kanë vendosur "gjoba" në emër të tij, duke i dëmtuar reputacionin. Bajri thotë se në Shkodër (nuk e specifikon kohën), disa persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë grabitur telefona dhe kanë kërkuar para në emrin e tij. Për këto ngjarje, sipas tij është bërë një kallëzim në Prokurorinë e Shkdorës nga Ermando Muhja kundër Zikjan Lelës, duke zbuluar edhe emrin e personit që vendos gjoba.
"Ndodhur përpara kësaj ngjarje të cilën unë e konsideroj të rëndë për emrin dhe reputacionin tim në këtë qytet, kërkojë që nga ana juaj të hetohet kjo ngjarje dhe të arrestohet i kallzuari Zikjan Lela dhe personat që kanë bashkëpunuar me të për të ulur figurën time , duke kryer këto vepra penale,"-shkruan ndër të tjera Bajri.
Kallëzimi i Safet Bajrit në SPAK
Unë i nënshkruari Safet Rustemi, pasi jam informuar që në qytetin ku jetoj, në Shkoder disa persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë përdorur emrin tim për të grabitur telefona dhe për t’u vendosur gjoba këtyre personave në mënyrë që t’i ktheheshin telefonat. Këtë e kanë bërë nën kërcënimin e armës duke pretenduar se këto armë ia kam dhënë unë për të kanosur, grabitur dhe gjobitur qytetarët të ndryshëm të qytetit të Shkodrës. Pasi kam marrë vesh për këtë ngjarje dhe jam interesuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm SHKODER, kam marrë një procesverbal të kallzimit të bërë nga shtetasi Ermando Muhja, kundër shtetasit Zikjan Lela, ku ky i fundit i ka marrë nën kërcënimin e armës telefonin e tij iphone 12, duke përdorur emrin tim për ta grabitur këtë shtetas e provuar kjo dhe me vendimin penal nr.8 (6) datë 05.01.2025 dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër kundër Zikjan Lela. Ndodhur përpara kësaj ngjarje të cilën unë e konsideroj të rëndë për emrin dhe reputacionin tim në këtë qytet, kërkojë që nga ana juaj të hetohet kjo ngjarje dhe të arrestohet i kallzuari Zikjan Lela dhe personat që kanë bashkëpunuar me të për të ulur figurën time , duke kryer këto vepra penale.
Më 15 dhjetor, forcat RENEA zbarkuan në Shkodër dhe ushtruan kontroll në banesat e disa prej anëtarëve të fisit Bajri. Por kontrolle u ushtruan edhe në lagjen Kiras, Rus, Dergut apo edhe fshatrat Shtoj i ri dhe Shtoj i vjetër. Gjatë aksionit u sekuestruan armë zjarri dhe pesë mjete të blinduara. Një prej banesave të kontrolluara ishte edhe ajo e Safet Bajrit dhe nga informacionet që janë bërë me dije deri më tani, raportohet se i janë sekuestruar 19 mijë euro, para që janë gjetur në një arkë kursimi të të bijës./ZËRI