TIRANË-Janë publikuar pamjet brenda apartamentit në katin e 8-të në Astir, ku një vajzë alarmoi Policinë se ishte rrëmbyer dhe u desh ndërhyrja e forcave RENEA për ta nxjerrë nga banesa. Policia e Tiranës gjeti një ditë më parë në banesë 2 armë pistoleta, pasi një 21-vjeçare telefonoi se ishte dhunuar dhe kërcënuar se do e vrisnin.
Në tavolinë shihen 2 pistoletat, të cilat tashmë janë sekuestruar dhe dërguar në laboratorin e Policisë Shkencore, për t’u ekspertuar, ndërsa duket dhe rrëmuja me shishe alkooli dhe duhani. Hetuesit gjetën edhe gjurmë të mbetjeve të kokainës.
Në lidhje me ngjarjen pesë djem janë shpallur në kërkim, mes tyre edhe i dashuri i 21-vjeçares, Joni Sadikaj. Mësohet se personat në fjalë janë nga Tirana, Vlora dhe Tepelena.
Çfarë ndodhi në Astir?
Telefonata e një vajze, e cila deklaroi se ishte dhunuar nga disa persona në një banesë në katin e tetë të një pallati në Astir, alarmoi ditën e djeshme (9 janar 2025) Policinë e Tiranës. Forcave RENEA iu desh të hipin në tarracën e pallatit dhe të zbresin me litarë në ballkonin dhe dritaren e apartamentit në katin e tetë, pasi vajza e identifikuar me inicialet S.Q. nuk prante të hapte derën. Në banesë u gjet vetëm vajza dhe askush tjetër./ZËRI