TIRANË- Tensionet kanë qenë kryefjalë në gjyqin e zhvilluar sot për Leonard Luzin. Në seancën e sotme, trupa gjykuese e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosi që të dënonte me 11 vite burg Leonard Luzin, i cili akuzohet për atentatin e dështuar ndaj Inez Hajrulla.
Por për shkak se përfiton nga gjykimi i shkurtuar, do të dënohet me 7 vite e 4 muaj burg. Pavarësisht uljes së dënimit, mes të pranishmëve në sallë ka pasur tensione. Në momentin e shpalljes së vendimi, Leonard Luzi është kthyer nga i penduari i drejtësisë, Amarildo Nikolli dhe e ka kërcënuar.
"Do ta shohësh ti Amarildo. Do e shikojmë kur të dal nga burgu,"-është shprehur Luzi, duke goditur edhe me grusht xhamin e kafazit të gjyqit.
Për ngjarjen, SPAK ka dënuar me 11 vite burg edhe Muharrem Korroveshin, ndërsa me 2 vite e 9 muaj burg Amarildo Nikollin, pasi ky i fundit fitoi statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë.
Si u planifikua vrasja që u zbardh nga SPAK?
Vrasja Ervis Matodashaj dhe Inez Hajrulla dështoi sepse në gusht të 2023, në orën 12:47, në lagjen “Uji Ftohtë”, Policia ndaloi Amarildo Nikollin. Ky i fundit, kishte tërhequr vëmendjen e uniformave blu të qytetit, pasi në një ditë të nxehtë gushti, qarkullonte nëpër Vlorë i veshur me një xhup për të fshehur tatuazhet që kishte në trup. Por metoda që zgjodhi për të mos u identifikuar nga kamerat e sigurisë në zonë, e evidentoi tek efektivët e Policisë që ndërhynë në kohë për të ndalur atentatin. Shënjestrat ishin dy: Ervis Matodashaj dhe Inez Hajrulla! Sipas SPAK, eleminimi i dy personazheve të njohur në Vlorë, do të bëhej për hakmarrje, dhe për dominimin e tregut të lojërave të fatit.
Nga hetimet e Prokurorisë së Posaçme, rezulton se në datën 22.03.2013, në qytetin e Vlorës, është vrarë me armë zjarri Erigert Zejno. Për ngjarjen u arrestuan Ervis Matodashaj, Nadir Ferko dhe Altin Sejdiraj. Por një vit më vonë, Prokuroria e Vlorës pushtoi çështjen për Matodashajn, me pretendimin se kishte mungesë provash. Nga "zbërdhimi" që SPAK i bëri çështjes, doli në përfundimin se Leonard Luzi (Zejno) është kushëri nga ana e babait me shtetasin Erigert Ferik Zejnon. Duke shtuar si bonus edhe hakmarrjen për vrasjen e kushëririt, "Daku" rezulton se është paguar nga një person, që deri më tani nuk është identifikuar me emër, për të eliminuar fizikisht Ervis Matodashaj dhe Inez Hajrulla.
Kështu, "Daku" mblodhi grupin e tij. Për të kryer detyrën që kishte marrë përsipër kontaktoi me Amarildo Nikollin, Muharem Koroveshin (alias Muharem Ismaili alias Muharem Myftaraj) dhe Erio Zejnon. Këta dy të fundit kishin rolin e ndihmësit. Si njohës të zonës i kanë siguruar armët Nikollit dhe e kanë ndihmuar në terren për të identifikuar ata që do të ishin shënjestrat e tij. Pasi i riu nga Shkodra të kryente atentatin, sërish këta të dy do ta ndihmonin që të largohej nga vendi i ngjarjes. Nga SPAK u zbulua se për këtë vrasje do jepeshin gjithsej 500.000 euro./ZËRI