TIRANË- Prej disa javësh, kryepeshkopit të Kishës Ortodokse, Anastas Janullatos është në gjendje të rëndë shëndetësore. Duke marrë parasysh gjendjen shëndetësore të 95-vjeçarit, në Shqipëri po përflitet gjithnjë e më shumë për pasuesin e tij. Sidomos në këto kushte shëndetësore, në të cilët ndodhet Janullatos. Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që diskutohet lidhur me këtë çështje. Në muajin tetor të vitit që lamë pas, media greke "Protothema" bëri një artikull pikërisht për këtë çështje, duke theksuar se tre krerët e Kishës Ortodokse greke; kryepeshkopi Hieronymos, patriarku Ekumenik Bartolomeu dhe kryepeshkopi i Shqipërisë Anastas, i kishin mbushur dhe/ose kaluar moshën 85-vjeçare, ndaj edhe kishin nisur që të mendonin për pasardhësin e tyre.
Në artikullin e saj, media greke fliste për "gurë shahu" dhe kulisat që luheshin brenda Kishave për të vendosur të zgjedhurit e tyre në vend të tre të lartpërmendurve. Por vetëm për Shqipërinë nuk kishin emra; kishin vetëm kushte!
Nëse, ose më saktë, kur Janullatos të ndërrojë jetë, kush do ta zëvendësojë?
Sipas zakonit, peshkopët më të rinj se 55 vjeç nuk hyjnë në garë dhe përgatiten për të marrë poste më vonë. Nëse në Greqi ka kulisa dhe "luftë klanesh" për të zgjedhur pasardhësit, në Kishën me bazë në Shqipëri, gjërat janë pak më të thjeshta. Të paktën në dukje...
"Fakti që të gjithë anëtarët e Sinodit janë praktikisht “fëmijë” të kryepeshkopit Anastas, e bën të vështirë të veçosh dikë që do të pasojë 95-vjeçarin. Siç thonë njohës të çështjeve kishtare, kur të vijë momenti nuk do të jetë "Fanari" (njësi administrative brenda kishës) ai që do të vendosë për pasardhësin, pasi do të vlerësohen edhe faktorë të tjerë për emrin e pasardhësit duke përfshirë politikën e jashtme e Shqipërisë dhe marrëdhëniet e saj me Greqinë, por edhe me SHBA-në,"-shkruan "Protothema".
Pra ka disa kushte që duhen plotësuar brenda vendit dhe në Greqi për pasardhësin e Janullatusit. Madje në qarqet diplomatike flitet që ka një testament të lënë nga hirësia e tij. Në rast se ky version është i vërtetë, atëherë nuk ka më vend për diskutim. Por nëse kjo gjë nuk ka ndodhur dhe Janullatos nuk ka lanë asnjë pasardhës, atëherë në garë deri më tani duket se kemi 2 emra.
Kemi Mitropolitin e Korçës, Joanin dhe Episkopin Ndihmës, i cili është pagëzuar gjithashtu me emrin Anastas.
Por kush janë dy emrat që po përfliten?
Mitropolit Joan (emri i lindjes është Fatmir Pelushi) tashmë shërben si mitropolit i Korçës. Ai ka studiuar për disa vite në shkollën teologjike ortodokse të Kryqit të Shenjtë pranë Bostonit në Shtetet e Bashkuara. Ai është diplomuar nga Fakulteti Ortodoks i Teologjisë Kryqi i Nderuar në Amerikë (Holy Cross Orthodox School of Theology, Boston), me gradën "Master of Divinity". Ka studiuar në SHBA falë një burse studimi të themeluar atje nga shqiptarët në Amerikë në kujtim të Peshkop Fan Nolit.
Ai ka shërbyer më parë si pedagog dhe dekan i Akademisë Teologjike të Kishës Ortodokse Shqiptare.
Me t'u diplomuar në "Kryqin e Shenjtë" me Master në studimet Teologjike, u rikthye në Shqipëri, ndërsa Kryepeshkopi Anastas e caktoi që të japë mësim në Seminar, si edhe të shërbejë ne vende të tjera brenda Kishës. Në 18 korrik 1998, u zgjodh si Mitropoliti i Korçës edhe u fronëzua dy ditë më pas.
Ndërsa 45-vjeçari Enkelejd Mamaj, i cili është pagëzuar me emrin Anastas ka një histori krejt ndryshe. Ai ka lindur në një familje muslimane dhe pas komunizmit u konvertua në ortodoks. Ndryshe nga Joani, Anastasi është shkolluar me një bursë Athine bashkë me një grup të tjerë të rinjsh shqiptar. Pas diplomimit ka punuar si punonjës dhe shef i zyrave në disa degë të bankave të nivelit të dytë në qytetin e Vlorës.
Ndërsa ishte një nëpunës i thjeshtë banke, afrohet në rrethin e metropolitit të Vlorës dhe Beratit, Ignatit, një klerik arvanitas që e fliste shqipen në mënyrë të përkryer. Më pas, Enkelejd Mamaj dërgohet të studiojë teologji në akademinë “Ngjallja e Krishtit” në Shënavlash të Durrësit, ku ndodhet edhe manastiri i madh ortodoks.
Doktoraturën e ka kryer në Universitetin privat ‘Logos’, i cili financohet nga Kisha ortodokse në vitin 2023. Direkt pas mbarimit të studimeve, është katapultuar në mënyrë të shpejtë në një post të lartë, atë të Episkopit Ndihmës të Krujës. Mamaj është pagëzuar nga vetë kryepiskopi, i cili i ka dhënë edhe emrin e tij, Anastas.
Kundër tij është vetëm koha e punës pasi Mamaj, ka një përvojë krejt të shkurtër si klerik, thuajse as katër vite, ndërkohë që shumica e klerikëve të tjerë janë shkolluar dhe punuar për rreth 30 vite. Por fakti që vetë kryepeshkopi e ka zgjedhur dhe i ka dhënë edhe emrin që mban vetë, tregon trajtimin preferencial ndaj tij. A do të kulmohet me zgjedhjen e tij si Kryepeshkop? Këtë ende nuk e dimë!
Në qarqet diplomatike, përkatësisht të Turqisë dhe vendeve të tjera muslimane, ky zhvillim po ndiqet me vëmendje, sidomos për faktin se Mamaj është konvertuar. Të tjetër theksojnë kushtin kryesor për zgjedhjen e re që duhet të ketë dakordësinë e Greqisë, Shqipërisë, por edhe të SHBA-ve, që deri më tani e plotëson vetëm Mitropolit Joan. Në favorin e tij është edhe komuniteti ortodoks në Shqipëri, por sa zë do të ketë, do mbetet që ta vlerësojmë në një moment të dytë. Kjo për shkak se kjo do të jetë hera e parë që nga rënia e komunizimit që do të dëshmojmë një proces të tillë. Janullatos u zgjodh që pas rënies së komunizimit dhe ka mbajtur prej atëherë detyrën si kryepeshkop, ndaj edhe kësaj here; të gjithë së bashku do të dëshmojmë një ngjarje të re...të paparë më parë!/ZËRI