Poliçan- Një prej akseve të vjetra që lidh Poliçanin me Skraparin vijon të paraqesë rrezik për drejtuesit e mjeteve, pasi dëmtimet e shkaktuara nga rrëshqitja e terrenit ende nuk janë riparuar. Problematika shfaqet në hyrje të Poliçanit, ku një pjesë e rrugës është shembur dhe ka përfunduar në kanal. Ndërkohë nga pjesa kodrinore mbi aksin rrugor vijojnë të shkëputen gurë, duke e bërë kalimin edhe më të pasigurt.
Edhe pse ky segment nuk ka më fluksin e dikurshëm të automjeteve, ai mbetet në përdorim të përditshëm, veçanërisht nga mjetet e tonazhit të rëndë. Kamionët që kalojnë në këtë rrugë drejtohen kryesisht në zonën e malit të Tomorrit, ku ngarkojnë pllaka guri dekorativ, për t'u kthyer më pas me ngarkesa të konsiderueshme.
Prania e mjeteve të rënda në një segment të dëmtuar shton shqetësimin për sigurinë e qarkullimit, ndërsa në zonë mungojnë edhe sinjalistikat paralajmëruese. Drejtuesit e automjeteve nuk kanë tabela që t'i informojnë për rrezikun apo t'i udhëzojnë të kalojnë me kujdes në pjesën problematike.
Sipas të dhënave, situata vijon prej rreth dy muajsh dhe deri tani nuk është ndërmarrë një ndërhyrje për rehabilitimin e këtij segmenti./ZËRI