TIRANË- Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi sot unanimisht me votat e mazhorancës dhe opozitës, propozimin e kryebashkiakut Erion Veliaj për shpalljen “Qytetarë Nderi” të Tiranës të katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Më 19 shtator, kryebashkiaku Veliaj paraqiti propozimin përmes një deklarata nga paraburgimi. Në deklaratë, Veliaj shprehej se ndonëse Tirana nuk mund t'ua japë lirinë, do t'i nderojë ata, në shenjë mirënjohjeje dhe vlerësimi për kontributin e tyre historik në lirinë e Kosovës.
Më herët, propozimi i Veliajt ishte miratuar edhe nga Komisioni Artistik-Kulturor i Bashkisë së Tiranës. Ndërkohë që këtë të martë, hapi i fundit ishte miratimi në Këshillin Bashkiak të Tiranës.
Motivacionet për drejtuesit e UÇK-së:
Hashim Thaçi
Për kontributin e çmuar në Luftën Çlirimtare të Kosovës, në përfaqësimin politik të saj dhe në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë e pavarësisë, me mbështetjen e vendosur të SHBA-së dhe partnerëve euroatlantikë. Për lidhjen e veçantë me Tiranën dhe forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.
Kadri Veseli
Për kontributin e çmuar në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë e pavarësisë, me mbështetjen e vendosur të SHBA-së dhe partnerëve euroatlantikë. Për lidhjen e veçantë me Tiranën dhe përkushtimin ndaj afrimit e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.
Jakup Krasniqi
Për kontributin e çmuar në Luftën Çlirimtare të Kosovës, në përfaqësimin politik të saj dhe në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë e pavarësisë, me mbështetjen e vendosur të SHBA-së dhe partnerëve euroatlantikë. Për lidhjen e tij të hershme me Tiranën, si një nga qendrat e mbështetjes politike e qytetare për Kosovën.
Rexhep Selimi
Për kontributin e çmuar në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë e pavarësisë, me mbështetjen e vendosur të SHBA-së dhe partnerëve euroatlantikë. Për lidhjen e veçantë me Tiranën, kryeqytetin që në ditët e luftës qëndroi pranë Kosovës dhe popullit të saj.
Propozimi i Veliajt dhe nderimi ndaj tyre, vjen pasi 4 ish-liderët e UÇK u dënuan me 81 vite burg nga Gjykata Speciale e Hagës. Më 16 shtator katër ish-krerët e UÇK-së u dënuan me 81 vite burgim në total nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është dënuar me 25 vite burgim, ish-kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, me 18 vite, Rexhep Selimi me 13 vite, ndërsa Jakup Krasniqi me 25 vite burgim./ZËRI