TIRANË- Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar padinë e Partisë Demokratike lidhur me zgjedhjen e Endri Shabanit në detyrën e Avokatit të Popullit. Me vendimin e saj, Gjykata ka lënë në fuqi procedurën përmes së cilës Shabani u zgjodh në këtë detyrë nga Kuvendi.
Në vendim, gjykata vlerësoi se procedura e ndjekur nga Kuvendi nuk ka cenuar garancitë themelore procedurale. Gjithashtu, gjykata shqyrtoi edhe pretendimet e opozitës, mes tyre veprimtarinë politike të Shabanit dhe mbështetjen e kandidaturës nga deputetët, duke i vlerësuar si të pabazuar.
Njoftimi i plotë
“Më datën 29.09.2026, Gjykata Kushtetuese (Gjykata) mori në shqyrtim, në seancë plenare dhe mbi bazë dokumentesh, çështjen me kërkues një grup prej 44 deputetësh të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë (Kuvendi), në cilësinë e subjektit kushtetues jo më pak se një e pesta e deputetëve (kërkuesi), me objekt verifikimin e zgjedhshmërisë dhe papajtueshmërisë në ushtrimin e funksioneve të Avokatit të Popullit, përfshirë verifikimin e procedurës së zgjedhjes së tij në detyrë, konstatimin e papajtueshmërisë së saj me Kushtetutën, si dhe shfuqizimin e vendimit nr. 111/2025, datë 11.12.2025, të Kuvendit “Për zgjedhjen e Avokatit të Popullit”.
Gjykata, bazuar në objektin e kërkesës, si dhe në natyrën dhe thelbin e pretendimeve të parashtruara nga kërkuesi, vuri fillimisht në diskutim çështjen e juridiksionit të saj për shqyrtimin e kësaj çështjeje.
Gjykata, bazuar në përmbajtjen e shkronjës “e” të pikës 1 të nenit 131 të Kushtetutës, vlerësoi, fillimisht, se Avokati i Popullit përfshihet në kategorinë e funksionarëve të organeve të parashikuara në Kushtetutë, sipas kësaj dispozite. Për rrjedhojë, edhe çështjet që lidhen me zgjedhshmërinë dhe papajtueshmërinë në ushtrimin e funksionit të Avokatit të Popullit, si dhe verifikimin e zgjedhjes së tij, përfshihen në juridiksionin kushtetues.
Po në këndvështrim të vlerësimit të juridiksionit të saj, Gjykata, pasi mori në shqyrtim pretendimet e ngritura nga kërkuesi, vlerësoi se pretendimet për: i) nënshkrimet e 28 deputetëve mbështetës në një listë të vetme; ii) mënyrën e zbatimit të rregullit të brendshëm “një deputet mbështet vetëm një kandidat”; iii) interpretimin e nenit 72 të Rregullores së Kuvendit për tërheqjen nga rendi i ditës të projektvendimit për zgjedhjen e Avokatit të Popullit; iv) ekzistencën e marrëveshjes politike mes shumicës dhe pakicës parlamentare, sipas së cilës Avokati i Popullit duhet të vijë si kandidat i pakicës parlamentare, nuk ngrenë ndonjë çështje të nivelit kushtetues.
Për sa i përket pretendimeve të tjera të kërkuesit për zgjedhshmërinë e Avokatit të Popullit, në kuptim të plotësimit të kritereve kushtetuese dhe për papajtueshmërinë në ushtrimin e funksionit, si dhe për verifikimin e zgjedhjes së tij, Gjykata vlerësoi se ato bëjnë pjesë në juridiksionin kushtetues dhe, ndaj, u ndal në vlerësimin e tyre në themel.
Në lidhje me pretendimin për mosplotësimin e kushtit të zgjedhshmërisë të parashikuar në pikën 2 të nenit 61 të Kushtetutës, sipas të cilit Avokati i Popullit duhet të ketë “njohuri dhe veprimtari të njohura në fushën e të drejtave të njeriut dhe të ligjit”, si dhe për hetimin nga Komisioni i Ligjeve në këtë drejtim, Gjykata arriti në përfundimin se Kuvendi, në zgjedhjet brenda procedurave parlamentare që përfshijnë vlerësime profesionale të kandidatëve për funksione kushtetuese, gëzon diskrecion, me kusht që të respektojë garancitë themelore procedurale dhe që procesi të mos ketë arbitraritet.
Bazuar në këtë standard, në rastin konkret, në procedurën e ndjekur nga Kuvendi, Gjykata nuk konstatoi cenim të garancive themelore procedurale apo arbitraritet.
Për sa i përket pretendimit për veprimtarinë politike të ushtruar nga kandidati për Avokat të Popullit, Gjykata konstatoi se, në parim, veprimtaria politike parashikohet nga Kushtetuta si shkak papajtueshmërie, që ndikon në ushtrimin e funksionit. Në rastin konkret, referuar momentit të betimit të Avokatit të Popullit në Kuvend, Gjykata vlerësoi se pretendimi i kërkuesit është i pabazuar.
Gjykata gjeti të pabazuar edhe pretendimin tjetër të kërkuesit për verifikimin e zgjedhjes së Avokatit të Popullit, për shkak të mungesës së mbështetjes së deputetëve në momentin e votimit të tij në seancë plenare.
Gjykata vëren, fillimisht, se kërkesa për mbështetjen (propozimin) e kandidatëve nga 28 deputetë nuk është një rregull i përcaktuar nga normat kushtetuese, por i parashikuar në Ligjin Organik të Avokatit të Popullit dhe në Rregulloren e Kuvendit.
Qëllimi i rregullit procedural për mbështetjen e kandidatëve nga deputetët është të sigurojë efektivitetin e procedurës parlamentare, në funksion të rezultatit të saj, dhe nuk është i lidhur me ushtrimin e funksionit ligjvënës nga Kuvendi.
Në rastin në shqyrtim, ky kusht ishte plotësuar në momentin e verifikimit nga Komisioni i Ligjeve të kandidaturave dhe kalimit të tyre për votim në seancë plenare. Në këtë mënyrë, procesi kishte sjellë pasoja konkrete, ndaj tërheqja e mbështetjes pas kalimit të kësaj faze nuk mund të sjellë më pasoja në procedurën vijuese parlamentare.
Në përfundim, Gjykata njëzëri vendosi rrëzimin e kërkesës.
Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese”.

Pas këtij vendimi, ka reaguar edhe Avokati i Popullit, i cili thotë se respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Në reagim, Shabani thekson se vendimi i sotëm i jep përgjigje çdo pikëpyetjeje mbi procedurën e zgjedhjes.
"Avokati i Popullit respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila, me kërkesë të një grupi deputetësh, verifikoi procedurën e ndjekur nga Kuvendi për zgjedhjen e titullarit të institucionit dhe konstatoi se ajo është në përputhje me Kushtetutën. Në këtë çështje, Avokati i Popullit ruajti paanshmërinë ndaj kërkuesve dhe Kuvendit duke mos mbajtur qëndrim për themelin e çështjes dhe duke ia besuar vlerësimin tërësisht Gjykatës, së cilës i përket interpretimi përfundimtar i Kushtetutës. Vendimi i sotëm i jep përgjigje çdo pikëpyetjeje mbi procedurën e zgjedhjes. Avokati i Popullit vijon punën për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.", thuhet në reagimin e Avokatit të Popullit, Endri Shabani.
Endri Shabani u zgjodh Avokat i Popullit nga Kuvendi në dhjetor 2025, ndërsa deputetët e PD-së kundërshtuan zgjedhjen e tij me pretendimin se procesi ishte në kundërshtim me Kushtetutën. PD kërkoi shfuqizimin e votimit në Kuvend dhe pezullim të ushtrimit të detyrës nga Endri Shabani.
Përplasja nisi pasi PD tërhoqi firmat për të gjithë kandidatët, përfshirë Endri Shabanin, duke deklaruar se ai nuk gëzon më mbështetjen e tyre. Megjithatë, pavarësisht këtij qëndrimi, shumica socialiste e kaloi çështjen në seancë plenare dhe e votoi Endri Shabanin si Avokat të Popullit.
Endri Shabani u zgjodh në seancën e 11 dhjetorit, me 85 vota pro, 3 kundër dhe asnjë abstenim me votim të fshehtë, ndërsa opozita zgjodhi të braktisë procesin e votimit. Shabani do të ushtrojë mandatin e tij 5-vjeçar, duke zëvendësuar në këtë post, Erinda Ballancën, e cila e drejtoi institucionin tre vite përtej përfundimit zyrtar të mandatit.
Ndërkohë, më 18 dhjetor, Shabani është betuar si Avokat i Popullit mes tensioneve në Kuvend. Mes fërshkëllimave dhe thirrjeve “dil përjashta”, kryeparlamentari Niko Peleshi lexoi fjalët e betimit të Endrit Shabanit, ndërsa ky i fundit i përshëndeti edhe me një puthje deputetët e opozitës. /ZËRI


